Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe fitores së kandidatit republikan, Donald Trump, fokusi tashmë është te emrat që ai do t’i përzgjedhë në pozitat e rëndësishme të kabinetit të tij.
“Reuters” të premten ka publikuar emrat e pretendentëve për një prej pozitave më të rëndësishme në Administratën Amerikane, atë të Sekretarit të Shtetit.
Më poshtë, gjeni emrat e personave që po konsiderohen për këtë pozitë.
Richard Grenell
Siç është raportuar tashmë në disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare, Grenell po konsiderohet për sekretar të Shtetit. Ai është një prej këshilltarëve më të afërt të presidentit Trump për politikë të jashtme.
Gjatë mandatit të parë të Trump, ai ka shërbyer si drejtor në detyrë i intelegjencës kombëtare dhe ambasador në Gjermani.
Së fundi në shtator, gjatë një takimi të Trumpit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Grenell ishte i pranishëm në këtë bisedë private.
Robert O’Brien
Këshilltari i katërt i Trump për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të parë, mban ende një marrëdhënie të afërt me presidentin e zgjedhur.
Ai me shumë gjasë do të jetë në garë për sekretar të shtetit, apo pozita të tjera që lidhen me politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.
O’Brien ka mbajtur kontakte të afërta me liderë të huaj prej kur Trump u largua në zyra, derisa pati një takim me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë majit.
Pikëpamjet e tij janë disi më të ashpra nga ato të këshilltarëve të Trumpit. Ai, për shembull, ka qenë më mbështetës i ndihmës ushtarake për Ukrainën sesa shumë nga bashkëkohësit e tij republikanë, dhe është një ithtar i ndalimit të TikTok në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bill Hagerty
Një sentar amerikan nga Tennessee i cili ka punuar në përpjekjën e tranzicionit të Trump gjatë vitit 2016, ai konsiderohet si një nga pretendentët kryesor për sekretarin e shtetit.
Hagerty ka mbajtur marrëdhënie solide në thelb me të gjitha fraksionet e Partisë Republikane dhe ka të ngjarë të konfirmohet me lehtësi në Senat.
Marco Rubio
Rubio, një senator amerikan nga Florida dhe kandidat presidencial republikan në vitin 2016, është po ashtu një ndër pretendentët kryesor për sekretarin e shtetit, politikat e të cilit janë shumë të afërta me ato të Trump.
Veç kësaj, ai ishte pretendent për të qenë kandidat për nënpresident të Trumpit gjatë këtyre zgjedhjeve.
Ndërkohë, nuk dihet kur do të bëhen publik emrat e të emëruarve nëpër pozita, derisa Trump deri më tani ka konfirmuar vetëm përzgjedhjen e shefes së stafit.
Të premten, presidenti i zgjedhur ka emëruar Susie Wiles si shefe të stafit, e cila do të jetë gruaja e parë që do ta mbajë këtë pozitë në Shtëpinë e Bardhë.