[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gratë në Gjakovë, përfituese të subvencioneve



 

Me organizimin e shoqatës “Medica Kosova” dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, sot është mbajtur tryeza përparësitë dhe sfidat e qasjes së grave në subvencione komunale. E pranishme në këtë tryezë ishte edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Në fjalën e saj të rastit, ajo është shprehur se që nga fillimi i mandatit të qeverisjes komunale, një ndër synimet kryesore të saj ka qenë dhe është të ofrojmë mundësi të barabarta për gratë kryefamiljare për fuqizimin ekonomik të tyre, transmeton Koha.net. Në këtë aspekt ne kemi formuar edhe skemën e granteve dhe kemi bërë një diskriminim pozitiv në aspektin e përkrahjes së grave ndërmarrëse. Si kriter kryesor në përfitimin e granteve, tha ajo, është përcaktuar të jetë që 30 për qind nga përfituesit e granteve të jenë nga gratë sipërmarrëse.

 

“Komuna deri më tani (2015-2016) ka subvencionuar vlerën prej 140,876.84 euro me 62 biznese përfituese, prej të cilave 20 janë biznese që udhëhiqen nga gratë, që përbënë 32.3%. Ndërkaq subvencionet totale të ndara nga Komuna dhe ato nga HELP kapin vlerën 222,490.18 euro me 107 biznese, prej nga numri i bizneseve që udhëhiqen nga gratë në total është 32 ose 30%. Gjithashtu, edhe në fushën e bujqësisë vetëm në vitin e kaluar kanë përfituar tetë gra fermere në sektorë të ndryshëm të bujqësisë”, ka shtuar më tutje Kusari-Lila.

 

Në këtë tryezë ka folur edhe drejtori për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, Bekim Ermeni. Ai tha se komuna e Gjakovës ka thjeshtëzuar dhe lehtësuar procesin e aplikimit për subvencione bujqësore dhe në vazhdimësi është duke i përkrahur gratë duke i ndihmuar ato që të jenë konkurrente dhe të jenë përfituese të subvencioneve komunale. Drejtori Ermeni ka shtuar se që nga viti 2014 në komunën e Gjakovës kanë qenë gjithsejte 123 gra përfituese nga sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Alba Loxha nga Fondi i Grave të Kosovës është shprehur e kënaqur me punën që është bërë duke përgëzuar shoqatën për angazhimin dhe rezultatet nga implementimi i projektit. Ndërsa, Veprore Shehu, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës “Medica Kosova” ka prezantuar raportin e projektit duke shprehur disa nga sfidat kryesore si çështjet pronësore, mungesa e kapaciteteve njerëzore mungesa e informatave në përdorimin e teknologjisë dhe qasja në programet kompjuterike, si problemet kryesore që gratë kryefamiljare përballen në aplikimin e subvencioneve komunale.

 

Në fund, në këtë tryezë kanë diskutuar edhe disa nga përfitueset nga subvencionet komunale duke ndarë përshtypjet dhe përvojat e tyre për ndikimin e këtij projekti.