[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Grabitja, ja sa është shuma e parave që policia ka zbuluar deri më tani



Deri më tani policia ka mundur të zbulojë afërsisht gjysmën e shumës së parave të BKT-së që u grabitën më 9 shkurt pranë rrugës së Rinasit.

Gazetari Artan Hoxha i ftuar “News24” tha se bëhet fjalë për 1.2 milionë euro të gjetura.

Mbrëmë ranë në pranga 4 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë.

“Ky grup, vetëm në 2 grabitjet zyrtare ka grabitur një shifër diku 7 mln euro. Shifra e rikuperuar deri më tani, gjithmonë sipas burimeve nga policia, llogaritet dikur në 1.2 milionë euro. Por në dijeninë time është më e vogël. Por pak rëndësi ka. Sepse nëse ti ke grupin paratë i gjen kollaj”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Hoxha theksoi se nuk shpreson se do gjenden të gjitha paratë e grabitura.

“Nuk ka shumë shpresë për mua se do gjendet sasia e lekëve të grabitura. Sepse në të kaluarën banda ka treguar se pas grabitjeve i ka investuar paratë, përjashto një pjesë që i kanë prishur”, – tha Hoxha.

Po sot policia sqaroi disa nga mënyrat se si grabitësit e 3.2 mln dollarëve i fshehën një pjesë të parave të vjedhura, që nga groposja në tokë duke i futur brenda tenxhereve me presion deri tek kasaforta brenda një servisi makinash, raporton BË.

“Në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro”,- sqaroi policia.

Ndërsa “në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë”, – thekson më tej policia.

Burime për “BalkanWeb” konfirmuan më herët se një pjesë të parave grabitësit i kanë investuar në blerje banesash e biznesesh, ndërsa një pjesë i kanë humbur në bixhoz.