I akuzuari Leonit Muhaxheri tha se në ditën kritike, thikën e kishte nxjerrë pasi i kishte dëgjuar sharjet e të akuzuarit Albin Balia në drejtim të viktimës dhe se kjo kishte ndodhur te qoshi i parkingut.
Këtë deklarim, i akuzuari Muhaxheri e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku akuzohet për vrasjen e B.Q, në shtator të 2020-ës në Ferizaj.
Në këtë rast, së bashku me Leonit Muhaxherin akuzohen edhe Albin Balia e Eugen Bajralia për pjesëmarrje në rrahje, Rinor Jashari për kanosje e moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, si dhe Mërgim Atanasova për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtja e të akuzuarit Leonit Muhaxheri filloi më 8 mars 2022 dhe të njëjën ai e ka vazhduar në seancën e së premtes.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, ia kujtoi të akuzuarit Muhaxheri që në seancën e kaluar ka thënë që nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici, andaj e pyeti nëse nuk qëndron në tërësi apo pjesërisht pranë asaj deklarate.
Ndërsa, i akuzuari Muhaxheri tha se deklaratën e tij të dhënë në polici e kundërshton në tërësi që nga fillimi deri në fund, për shumë arsye.
Avokati Rudari ka pyetur të akuzuarin Muhaxheri se çka i kishte dhënë të akuzuarit tjetër Albin Balia, në momentin ku të njëjtit po ecnin rrugës për tek parkingu.
Këtë pyetje avokati Rudari tha se e bazon në bazë të kamerave të kafenesë “DownTown”, në ditën kritike, ku kjo ngjarje sipas tij shihet në minutazhën 20:10:10 të CD-së.
Por, trupi gjykues vendosi që kjo pyetje të njëjtit të mos i lejohet, me arsye sepse koha e cekur nga avokati Rudari për veprimin e përmendur, nuk ishte e konstatuar në procesverbalin kur ka qenë shikuar CD-ja në fjalë.
Andaj pas kësaj, avokati Naim Rudari ka propozuar trupit gjykues të ndërpritet ndëgjimi i të akuzuarit Muhaxheri dhe të bëhet sërish shikimi i video-incizimeve nga kafeneja “DownTown” në minutazhën 20:09:25 deri 20:12:48, dhe nga kamerat e qytetit në kohën 02:35 deri 05:40.
Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi e refuzoi propozimin që të ndërpritet mbrojtja e të akuzuarit Muhaxheri, kurse aprovoi propozimin që të shikohet sërish CD-ja.
Gjykatësi njoftoi se CD-ja do të shikohet vetëmnë insertet e cekura nga avokati Rudari dhe jo nër tërësi, në rast se parashtrohen pyetje të tjera për të pandehurin, mund ta ballafaqonte me pjesë tjera të incizimeve.
Më pas, avokati Rudari ka vazhduar me pyetje ndaj të pandehurit të cilat pyetje i kishte bazuar në disa inserte të CD-së, e cila u lëshua për t’u shikuar në gjykatë.
Avokati e pyeti të akuzuarin Muhaxheri se çfarë i kishte thënë të akuzuarit tjetër Albin Balia, në momentin ku të njëjtit po ecnin rrugës për tek parkingu, ndërsa i akuzuari Leonit tha se nuk i kishte dhënë asgjë dhe se kjo po ia vërteton edhe nga pamjet në CD.
Meqenëse i akuzuari Muhaxheri kishte deklaruar se atë ditë kishte pasur me vete thikë, avokati e pyeti nëse kjo gjë është e vërtetë dhe këtë e konfirmoi i akuzuari.
“Ju në procesverbalin e datës 8 mars 2022, keni thënë se i akuzuari Albin Balia në mënyrë të vrazhdë ia ka larguar krahun tani të ndjerit nga supi i tij dhe e ka sharë, pastaj është tensionuar situata, prej frikës se do të ndodhte diçka kam nxjerrë thikën dhe e kam goditë në faqe të ndjerin. A është kjo e vërtetë dhe cili është momenti kur ju e keni nxjerrë thikën?”, pyeti avokati.
Lidhur me pyetjen e avokatit, i akuzuari Leonit tha se është e vërtetë ajo që u lexua, dhe se kishte nxjerrë thikën pasi i kishte dëgjuar ato sharje dhe se kjo kishte ndodhur te qoshi i parkingut.
Në bazë të përgjigjes së të akuzuarit Leonit, avokati Naim Rudari kërkoi të lëshohet minuta 20:10:14 për arsye se sipas tij, ka vërejtur që është në kundërshtim me atë çka deklaroi i akuzuari Leonit se i njëjti ka nxjerrë thikën tek qoshi i parkingut.
Në këtë fazë të procedurës, kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, tha se pas konsultimit me antarët e trupit gjykues, trupi gjykues kërkon nga avokati Rudari që të parashtrojë pyetje të tërthorta sipas ligjit dhe të ballafaqojë me pjesë të inserteve me prova materiale.
Lidhur me këtë, avokati Naim Rudari pa iu dhënë fjala nga gjykatësi Idrizi, deklaroi se po i bëhet presion nga ai (gjykatësi).
Më pas, gjykatësi Ibrahim Idrizi, ka kërkuar nga avokati Rudari të sqarojë se a kuptohet presion që të orientohet për të parashtruar pyetje sipas ligjit, ndërsa avokati tha se personalisht po ndjehet në presion.
“Të nderuar, secilën pyetje që unë po e parashtroj e që unë konsideroj se ka një provë kundërthënëse, po më kërkohet ta arsyetoj, unë personalisht po ndjehem në presion” ka thënë ai.
Gjykatësi Idrizi tha se trupi gjykues kujdeset për rolin e secilit nga palët në procedurë dhe të parashtrimit të pyetjeve, i njëjti tha se nëse pyetja nuk është lejuar gjithnjë është arsyetuar sipas ligjit.
Andaj, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, i ka shqiptuar vërejtje avokatit Naim Rudari për fjalët që janë thënë pa marrë leje nga trupi gjykues.
Sipas gjyqtarit Idrizi, përdorimi i fjalës “presion” nga ana e avokatit Rudari, lehtë mund të kalojë në ofendimin e gjykatës, andaj me këtë vërejtje i bëhet me dije që të përfaqësojë palën dhe pozitën e tij në këtë shqyrtim ashtu siç e parasheh ligji dhe kodi i etikës së avokatëve.
Pas kësaj, avokati Naim Rudari tha se qëllimi i tij nuk ishte që të ofendonte askënd dhe as gjykatën, teksa ka kërkuar falje për situatën.
Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdojë më 13 dhe 14 prill 2022.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të përpiluar më 19 mars 2021, Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Çesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.
Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje në mes tyre në kafenenë “Mon-Bar“, i pandehuri Leonit së bashku me të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia kishin shkuar tek tavolina e tani të ndjerit, i cili ishte duke qëndruar me Alorin Lekën.
Aty thuhet se i pandehuri Albin i ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më kqyr, çfarë problemi ke”, e më pas me tu ngritur nga tavolina, i ndjeri së bashku me Alorin Lekën kishin dalë jashtë kafenesë dhe diku pas rreth 15 metra, përkatësisht përballë kafenesë “Escobar”, tek qoshi i banesës ndalohen nga të pandehurit.
Tutje, sipas aktakuzës, pas një fjalosje mes tyre, për një moment i pandehuri Leonit me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, e kishte goditur njëherë tani të ndjerin në pjesën majtë të veshit, e më pas në përleshje e sipër, e kishte goditur edhe disa herë me thikë në pjesë vitale, përkatësisht në regjionin e shpinës, në anën e majtë.
Pas këtyre goditjeve, thuhet se tani i ndjeri ishte larguar duke vrapuar në drejtim të rrugës “12 Qershori”. Mirëpo, aty thuhet se si pasojë e plagëve të marra ai ishte rrëzuar në tokë dhe nga disa kalimtarë ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, me ç’rast si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë.
Në aktin akuzues thuhet se sipas raportit të autopsisë, të 6 shtatorit 2020, kishte rezultuar se vdekja e tani të ndjerit ishte vdekje e dhunshme, që kishte ndodhur për shkak të gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila gjakderdhja ishte shkaktuar si pasojë e traumës së pësuar dhe dëmtimit (shpimit) të zemrës (atriumit të majtë) dhe të mushkërisë së majtë, të shkaktuara nga mjeti shpues-thika.
Tutje, aty thuhet se përderisa i dëmtuari Alorin Leka ishte duke u përleshur me të pandehurin Albin tek parkingu i banesës, i pandehuri Leonit me thikë në dorë kishte vrapuar në drejtim të të dëmtuarit Alorin me qëllim që ta godasë, mirëpo ishte penguar nga një qytetar, ndërsa i dëmtuari kishte arritur që të largohet.
Me këtë, Leonit Muhaxheri akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia, më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, kanë marrë pjesë në rrahje, e cila kishte rezultuar me vdekjen e tani të ndjerit B.Q.
Aty thuhet se pasi i ndjeri ishte goditur me thikë në pjesën e majtë të veshit nga i pandehuri Leonit, të pandehurit Albin dhe Eugen kishin marrë pjesë në rrahje duke goditur të ndjerin disa herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, e po ashtu kanë sulmuar fizikisht edhe të dëmtuarin Alorin Lekën, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Me këtë, Albin Balia dhe Eugen Bajralia akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Rinor Jashari akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të cekura si më lartë, kishte kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin Alorin Leka, në atë mënyrë që pas privimit nga jeta të të ndjerit B.Q. nga ana e të pandehurit Leonit, i pandehuri Rinor i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët se “ty kena me ta ba ma zi”. Si pasojë e këtyre fjalëve thuhet se tek i dëmtuari është shkaktuar një ndjenjë e frikës dhe e ankthit.
Me këtë veprim, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse sipas dispozitivit të katërt, Rinor Jashari akuzohet se më 4 shtator 2020, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, duke qenë në dijeni se i pandehuri Leonit Muhaxheri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, një gjë të tillë nuk e kishte lajmëruar tek organet kompetente. Aty thuhet se i pandehuri Leonit, menjëherë pas ngjarjes i kishte treguar atij se tani të ndjerin e kishte goditur disa herë me thikë.
Me këtë, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të KPRK-së.
Kurse sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, Mërgim Atanasova akuzohet se më 4 shtator 2020, rreth orës 20:20 në rrugën “Riza Goga” në Ferizaj, me dashje kishte ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e të pandehurve Leonit Muhaxheri, Albin Balia dhe Eugen Bajralija.
Aty thuhet se i njëjti kishte bërë organizimin e ikjes së të pandehurve nga vendi i ngjarjes, ku fillimisht kishte marrë çelësin e veturës nga i pandehuri Eugen, i cili paraprakisht e kishte lënë veturën në parkingun e rrugës “Zenel Hajdini“, e më pas me të marrë veturën nga parkingu, kishte marrë të pandehurit Leonit dhe Eugen dhe së bashku kishin shkuar të marrin të pandehurin Albn me qëllim që t’ua pamundësojë organeve të ndjekjes arrestimin e tyre.
Me këtë, Mërgim Atanasova akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.