Gjykata merr vendim për komandant “Ujkun”

Ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala, i cili po akuzohet për krime lufte i është vazhduar masa e paraburgimit nga Gjykata e Hagës.

Vendimi është marrë nga gjykatësi procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konkludon, për qëllime të shqyrtimit periodik të paraburgimit të z. Shala, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, se rreziqet që z. Shala do të arratiset, pengojë ecurinë e procedurave të DhSK-së, ose kryej  krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi ZPS-së dhe/ose që duhet të paraqiten para DhSK-së, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim përcjell Insajderi.

Me anë të vendimit, gjykatësi po ashtu ka urdhëruar mbrojtjen që nëse dëshiron të parashtrojë shkresa për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Shalës, këtë ta bëj jo më larg se 25 tetori, ndërkaq përgjigja e prokurorisë duhet të bëhet jo më larg se 1 nëntori.

Pjetër Shala i njohur me nofkën komandant “Ujku” u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

LEXO EDHE KETE

Në treg 80 euro metri, Shpejtim Bulliqi i shet drutë e shtetit për 11 euro

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Botapress.info/

ngjashme