Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, po i quan si anti-Kosovë dhe anti-UÇK, Albin Kurtin, Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën,
Përmes një statusi në Facebook, Gjoshi që njëherësh është edhe sekretar organizativ në PDK, ka thënë se Osmani, Kurti dhe Gërvalla janë duke shfrytëzuar kapacitetet shtetërore për të dëmtuar procesin e drejtësisë dhe luftës së drejtë për liri e shtet të Kosovës.
Ky është statusi i tij i plotë:
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz – treshja anti-Kosovë dhe anti-UÇK
Në Qeverinë e Kosovës dhe në Presidencë ekziston kjo treshe e organizuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK-së. Kjo strukturë mendon njëjtë, ka qëllime të njëjta dhe vepron njëjtë
Albin Kurti, Vjosa Osmani janë drejtues të kësaj strukture që në thelb përbëjnë kërcënim për zhbërjen e shtetit të Kosovës si rezultat përfundimtar. Pjesë e kësaj strukture është edhe Donika Gërvalla Schëarz e cila është në krye të fushatës vetëm medialisht, por që ka mbështetjen e fuqishme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Këta njerëz janë duke drejtuar një fushatë kundër drejtuesve të UÇK-së. Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla Schëarz janë duke shfrytëzuar kapacitetet shtetërore për të dëmtuar procesin e drejtësisë dhe luftës së drejtë për liri e shtet të Kosovës.
Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme nuk janë duke qëndruar as të paanshëm, çfarë kërkohet në drejtësi. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre po dëmtojnë qëllimisht procesin.
Duke shfrytëzuar shtetin për të dëmtuar luftën e popullit për liri, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schëarz janë duke shërbyer kundër interesave kombëtare.
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schëarz, i kanë kaluar kufijtë e urrejtjes dhe padurueshmërisë politike./Botapress/