[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gjilani vlerësohet komunë lidere në programin e parandalimit të ekstremizmit



Gjilan, 27 janar 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, i cili shoqërohej edhe nga përfaqësues të ICITAP dhe UNDP.

Kryetari Haziri, pasi e ka falënderuar zëvendësministrin dhe përfaqësuesit e ICITAP e UNDP për ardhjen në Gjilan, ka thënë i ka njoftuar për angazhimet e mëdha dhe mbështetjen për Mekanizmin Referues.

“Ne sot biseduam për atë që Komuna e Gjilanit është lidere në programin e parandalimit të ekstremizmit dhe formave të ekstremizmit në nivel komunal, duke qenë anëtare e rrjetit të madh të qyteteve Strong Cities me seli në Londër. Si rezultat i saj, ne në Kosovë po angazhohemi dhe sot është një ditë e mirë që ta njoftojmë z. Hoxha për të gjitha angazhimet tona në kuadër të Mekanizmit Referues, arritjet dhe sfidat. Jam shumë i lumtur që MPB dhe partnerët – donatorë të Komunës, i dhanë mbështetje këtij Mekanizmi”, ka deklaruar kryetari Haziri, gjatë adresimit para gazetarëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe zotimin për të vazhduar me punën e mëtutjeshme të Mekanizmit Referues.

“Kam kënaqësinë që jemi në Gjilan për përkrahjen e projekteve të cilat i inicon Komuna e Gjilanit dhe i mbështetë në mënyrë konsistente. Sot e mora konfirmimin prej kryetarit Haziri për vazhdimin e funksionimit të Mekanizmit Referues, i cili do të kryej punë në ngritjen e vetëdijësimit dhe parandalimit të ekstremizmit”, tha zëvendësministri Hoxha.

Ai ka përgëzuar Gjilanin për funksionalizimin e Mekanizmit Referues, duke thënë se është komunë lidere në nivel vendi sa i përket kësaj fushe.

“Ne si MPB do të jemi në koordinim të vazhdueshëm sa i përket këtij Mekanizmi pilot, i cili për herë të parë ka filluar të implementohet Gjilan dhe kjo komunë është lidere në këtë projekt. Besoj që edhe ato mangësi që do t’i hasim, do t’i plotësojmë në mënyrë që në komunat tjera të shkojmë me një projekt të detajuar dhe rezultat konkret, çfarë po jep çdo ditë kryetari Haziri dhe Komuna e Gjilanit”, ka potencuar zëvendësministri  Hoxha. ​