[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gjermania mesazh Serbisë: Ne kemi investuar në Kosovë, ju nuk guxoni ta prekni atë



Gati çdo serb e konsideron Gjermanisë si mikun më të madh të Kosovës. Edhe vetëm për këtë fakt, Gjermania shihet në Beograd si armiku më i madh i Serbisë. Por shkaqe ka shumë, thonë analistët e atjeshëm.

Gjatë bisedimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare, të cilat u mbajtën në Prishtinë, Qeveria gjermane i siguroi Kosovës mbështetje të mëtutjeshme drejt afrimit me standardet e BE-së.

 Pjesë e këtij bashkëpunimi është mbështetja në fushën e energjetikës, furnizimit me ujë, nxitja ekonomike dhe e punësimit, ndihma në reformën e administratës publike, si dhe mbështetja në fushën e arsimit, ndërsa për këto fusha Qeveria e Gjermanisë për këtë vit ka ndarë 33 milionë euro.

Delegacioni gjerman, i udhëhequr nga kryesuesi i Seksionit për Evropën juglindore… Leo Kreuz, palës kosovare ndër të tjera i premtoi edhe mbështetje në ndërtimin e një rezervari të ujit në afërsi të kryeqytetit Prishtinës. Me ndërtimin e këtij rezervari do të sigurohet uji i pijshëm për 40 % të popullsisë së Kosovës.

 Në kuadër të kësaj mbështetjeje do të përmirësohet edhe menaxhimi i ujërave të zeza në jugperëndim të vendit, gjë që do të ndikojë në mënjanimin e problemeve shëndetësore.

Gjatë bisedimeve ndërqeveritare udhëheqësi i delegacionit gjerman theksoi se qeverisja e mirë dhe luftimi i korrupsionit janë dy parakushte të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Po ashtu, përfaqësuesit e qeverisë gjermane pohuan rëndësinë thelbësore të mbrojtjes së pakicave në Kosovë.

Ndërkaq, me dëshirë të Qeverisë së Kosovës, e cila gjatë bisedimeve u përfaqësua nga ministri për Integrime Evropiane, Besim Beqaj dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, Ministria e Integrimeve Evropiane do të mbështetet nga këshilltarë gjermanë, me qëllim të avancimit drejtë integrimit ekonomik të vendit.

Ndryshe, shteti gjerman është donatori më i madh evropian, gjegjësisht donatori i dytë më i madh në botë për Kosovën, pas SHBA-së. Që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 1999 qeveria gjermane ka mbështetur rindërtimin e Kosovës, duke vënë në dispozicion për këtë rreth 375 milionë euro. /Telegrafi/