Komuna e Gjakovës është një nga komunat e shumta ku do të organizohet edhe raundi i dytë zgjedhor. Në garë për kryetarin e kësaj komune janë: Kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini dhe Mimoza Kusari-Lila. Në anën tjetër, ndikim të madh se kush do të udhëheq me këtë komunë mund të ketë edhe PDK.
Kryetari i degës së kësaj partie në Gjakovë, Hajdar Beqa, thotë se tash për tash ende nuk kanë vendim përfundimtar si degë se a do të qëndrojnë në opozitë, apo do ta mbështesin njërin nga kandidatët.
“Realisht ka qëndrime të ndryshme në kryesi. Po bëjmë një analizë se a do të qëndrojmë në opozitë a po t’i bashkohemi dikujt në balotazh. Kemi oferta konkrete dhe po shikojmë mundësitë. Qëndrimi ynë shpejt do të bëhet publik brenda dy tri dite ose më së largu deri të mërkurën”, ka thënë Beqa për Indeksonline.
Më tutje, ai ka thënë se nëse qëndrojnë në opozitare do të jenë opozitë e fuqishme, sepse kanë një numër të konsiderueshëm të asamblistëve.
Deputeti i PDK-së, thotë se kanë pasur disa takime zyrtare dhe jo zyrtare me partitë të cilët janë në balotazh duke shtuar se kanë përafrime, por nuk kanë ndonjë vendim.
Kujtojmë se më 14 nëntor do të mbahet balotazhi në 21 komuna të Kosovës.