[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gëzim Muçolli: Dritëro dhe (mos) vjedhja letrare



Botapress, 3 Shkurt

Shkruan: Gëzim MUÇOLLI

Sot të gjithë po shkruajnë se edhe Dritëroi na la! Nuk e besoj se me largimin nga jeta fizike ,një poet i vërtetë ndahet nga ne. Aq më pak një autor që gjithmonë ka qëndruar si një gur i madh i latuar , nga ata të themeleve të letërsisë moderne shqipe.

Dritëroin e kam lexuar shumë. Ai atëherë ishte ende i ri , kurse unë fëmijë, nxënës i shkollës fillore të qytetit buzë lumit Llap. Më pëlqenin vjershat e tij, pastaj më vonë kuptova se edhe komisari Memo ishte i tij, dhe mësova peshën e bronxit të derdhur monumental në letrat dhe ndërgjegjjet tona.

Ishte pastaj drama “Mosha e bardhë “ që më disponoi të lexoj edhe më krijimet e Dritëroit. Edhe “Njeriu me top” derisa shkrepi me topin italian predhat që dogjën mullarët në emër të zisë së hakmarrjes dhe drejtësisë së munguar nga shteti si dhe dënimit moral kolektiv nga njerëzit që ndillnin gjakmarrjen.Ishte Dritëroi që me personazhin e Augustos na bëri të kuptojmë se ushtari italian i ardhur si pushtues në Shqipëri për lavdin e fashizmit kishte edhe fytyrën e tij humane.

“Agushi” i Mato Grudës la përshtypje me fjalët e tij që i përsërit të mësuara nga Matoja :” atë e di Unë!”.

Kush nuk ka qeshur me bëmat e shokut Zylo., burokratit i cili sot do t’ua kishte zili nëpunësve të lartë të shtetit për mundësitë që ua dha demokracia. Fëmijët edhe e këndoni një këngë për shokun Zylo. Ishte përsëri pena e mprehtë e Dritëroit që gëdhendi figurën e ndërlikuar të Zylos duke na dhënë mundësinë të zgjedhim midis veseve dhe virtyteve që mund ti ketë një shërbyes i pushtetit, që harron rrugën prej nga ka ardhur deri te pozita aktuale.

Në shkollë të mesme të mjekësisë në prishtinë po mësonim për Dritëroin dhe si për çudi të gjithë nxënësit  kishin mësuar strofat e poezisë së tij në librin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Po unë e kisha mësuar një pjesë të madhe të poemës “Devoll, devoll”. Kishte rastisur që profesori i gjuhës mungoi një javë dhe drejtoria e shkollës kishte sjellur si zëvendësim të përkohshëm një profesor tjetër i cili punonte te gazeta e përditshme “Rilindja” dhe ishte i njohur si shkrimtar i dalluar për fëmijë.

Ai erdhi i qetë dhe pasi shkroi në ditarin e klasës ato që duhej shkruar filloi të fliste për shkrimtarët shqiptarë e sidomos për Dritëro Agollin. Pastaj filloi të pyeste për  poezinë që e kishim pasur detyrë ta mësonim përmendësh. Të gjithë ata që i pyeti e thanë siq duhej. Dikur më erdhi radha mua dhe duhej ti recitoja ato pak strofa të poemës së Devollit që ishin në librin e gjuhës. I thashë me emocion ato duke vazhduar edhe me disa të tjera që i kisha gjetur në një libër universitar të letërsisë shqiptare, duke shqiptuar me zërin e një dëshire të heshtur nga pesha e kohës që po jetonim në Kosovë pas demostratave të pranverës 1981, duke zbërthyer mjeshtrinë e të rrëfyerit autobiografik të Dritëroit modest dhe krenar :

“…Paskam marrë baltën tënde arave

Në një trastë leshi nënë gunë

Për ta sjellë në Lidhjen e Shkrimtarëve… “

Professori i nderuar plot emocion dhe me sy të përmalluar , vendosi në ditar notën e shkëlqyeshme dhe tha , sikur mos të ishim tani në fillim të gjysmëvjetorit të dytë do të ta kisha përfunduar notën sot.

Në klasën tonë ku shumica kishim një dëshirë të parealizueshme për ta vizituar tokën e Shqipërisë, këto mësime i përcillnim me dashuri dhe ndjenjë të veçantë.Dikush nga nxënësit që ishin ulur në radhën e parë e pyeti me mirësjellje: Si quheni ju professor. Ai u përgjegj dhe mbiemri i tij na kujtoi Fazliun e ndjerë, njërin nga poetët  martir të vrarë për Flamurin kuqezi. Profesori , gazetari dhe shkrimtari i nderuar quhej Riza Greiçevci i lindur në Drenicën martire .

Ai na foli shumë atë orë mësimi që në fakt ishin dy por që kaluan aq shpejt , duke na lënë të kuptojmë se nuk do ta harronim kurrë as Dritëroin e as ligjërimin e asaj ore shkollore. Kur mbaroi ora dhe shkoi profesori pothuajse të gjithë thanë : Sa i flaktë qenka ky shkrimtari ynë  për Nënën Shqipëri.

 

Driëroi sot me 3 shkurt hyri në dimensionin e rekapitullimit artistik. Largimi nga jeta do të sjell afrimin edhe më të madh me veprat e tij letrare. Unë nuk kam asnjë dyshim sidomos duke u bazar se shumica e atyre që shkruajnë dhe publikojnë vargradhitjet e tyre në rrjete sociale sot sidomos në Shqipëri , duket haptazi që kanë mësuar nga vjershërimi i Dritëroit.

 

Dritëroit vazhdimësia e ekzistencës letrare i është e garantuar sidomos për faktin se ai është një nga autorët më të kërkuar dhe më të përvjedhur duke u nisur nga motivet deri te modeli i formimit të vargut letrar.

Bile shumë nga poetët e Fejsbukit pa fije ngurrimi lëvdohen me vjershat e veta . pa u skuqur fare që vargjet e tyre janë ngurtësuar brenda “kallëpit” poetik të autorit që në kohën e rinisë së tij nuk u turpërua që hyri me baltën e arave të Devolllit kur hyri për herë të parë në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Për hir të respektit të veprës së autorit madhor Dritëro Agolli, ata që vërtetë duan të kenë ecje të mbarë në artin letrar duhet të mësohen të ecin vetë qoftë shtigjeve të baltosura apo asfaltit , pa kopjuar dhe degjeneruar stilin dhe modelin artistik të autorit devollian.

Përndryshe pos dëshpërimit pas dalldisjes virtuale nuk do t’iu ngelë asgjë tjretër pos emrit si “halahula” të letërsisë virtuale shqiptare.

 

Gëzim MUÇOLLI, 3 shkurt  2017  Padova , Itali

 

 

Dritëro Agolli  (13 tetor 1931 – 3 shkurt 2017)