Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, po merr pjesë sot në takimin e ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Selanik, nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.
Temë bosht e këtij takimi është dialogu i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane. Takimin e përshëndeti komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Olivér Várhelyi, ndërsa po merr pjesë edhe sekretari i shtetit i Sllovenisë, z. Gašper Dovžan, vendi i të cilit është kryesues i radhës i Presindecës së Këshillit të BE-së.
Në fjalën e saj gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje ndaj Greqisë, për qasjen strategjike dhe gatishmërinë për të investuar në bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, si dhe në avokimin për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Ne me të vërtetë konsiderojmë se ky rol aktiv dhe kontribut është i vlefshëm jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, shtoi Gërvalla.
Ministrja Gërvalla, teksa foli për çështje rajonale, përmendi rëndësinë e bashkëpunimit duke ju referuar procesit të Berlinit si platformë për bashkëpunim rajonal në lidhje me BE-në, e cila u theksua edhe gjatë takimit të së martës në Tiranë me kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Ne duhet të mbajmë një qëndrim proaktiv dhe pro BE-së. Ne duhet t’i marrim shumë seriozisht këto diskutime themelore për të ardhmen e Evropës, të cilat po ndodhin tani. Dhe sa i përket vendit tim, ne nuk do të ndryshojmë drejtimin drejt BE-së, nuk do të kërkojmë struktura konkurrues”, shtoi më tej ministrja Gërvalla. Sipas kryediplomates së Kosovës, ideja e Ballkanit të Hapur perceptohet në të gjithë BE-në si një koncept konkurrues ndaj BE-së.
Në këtë drejtim, Gërvalla tha se Republika e Kosovës është e vendosur në rrugën e saj drejt BE-së dhe nuk është në kërkim të strukturave konkurruese, njofton zyra per medie e MPJ-se percjelle Botapress.
Adresa: Muharrem Fejza pn.
Email: [email protected]
Marketing: [email protected]
Tel: +383 38 742 282
Ky portal mirëmbahet nga Botapress.info. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi.
Partnerët: