[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gazetarja serbe rrëfen për atmosferën brenda trenit që erdhi nga Serbia



Një tren që u nis nga Beogradi për në Prishtinë bëri bujë të madhe në të dyja vendet. Skenarë të ndryshëm u shkruan për ardhjen e tij. Ilegal apo legal, treni nuk arriti të hyjë në vendin tonë, pasi një gjë e tillë iu ndalua nga Policia e Kosovës.

Ai, madje sipas disa videoincizimeve u mundua të ndalet edhe me minimin e një zone, por doli që kjo mos të jetë e vërtetë.

Por, si ka qenë gjendja brenda trenit ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të Qeverisë Serbe, për Gazetën Metro, rrëfen gazetarja e Televizionit MIR nga Leposaviqi.

Sanja Sovrlic, bashkë me një grup gazetarësh tjerë serbë ishin akredituar që të përcjellin udhëtimin e trenit nga Beogradi për në veriun e Mitrovicës.

Për një gazetare siç ishte Sanja, atmosfera në tren ishte normale dhe asgjë e veçantë nuk ishte duke ndodhur. Rreth saj kishte zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë serbe e në mesin e tyre edhe Marko Djuric, drejtor i të ashtuquajturës drejtor i zyrës serbe për Kosovën.

Përveç tyre në tren ishin dhe 50 udhëtarë të tjerë të cilët kishin blerë biletat si çdo herë.

E kur treni arriti në Rashkë, u ndal për një pauzë dhe të gjithë prisnin se çka do ndodhë.

Sanja shpjegon momentin kur Djuric mblodhi gazetarët gjatë pauzës që zhvilluan në Rashkë, duke shpjeguar që përreth ka parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

“Në një moment Djuric ka mbledhur gazetarët dhe ka thënë që treni nuk do të vazhdojë por që informacionin e saktë do ta japë Vucici në një konferencë për media. Nuk ka dashur të komentojë se pse treni është ndaluar”, shpjegon Sanja për gazetametro.net.

Për të gjitha zhvillimet që ndodhën gjatë udhëtimit të atij treni por edhe më pas, Sanja i shpjegon si të pakuptueshme dhe lojë politike.

“Unë mendoj se kjo ka të bëjë me një kampanjë politike dhe mendoj që politikanët kanë përfituar më së shumti nga kjo situatë, si ata të Beogradit gjithashtu edhe këta të Kosovës, duke marrë poena në krah të popullatës së viktimizuar”, shprehet Sanja.

Por jo vetëm kjo i ka penguar gazetares serbe. Ajo, është irrituar me kahjen dhe raportimin që i dhanë mediat serbe kësaj ngjarje, por edhe gazetarët me statuset e tyre në rrjete sociale.

“Ajo që më ka penguar janë mediat të cilat në vend se të raportojnë për të qetësuar popullatën, unë po flas për ato serbe, por gjithashtu edhe disa kolegë në rrjetet sociale të cilët kanë publikuar statuse sepse ne si gazetarë duhet të jemi zëri i ndërgjegjes”, tha Sanja për gazetametro.net.

E për Sanja Sovrlic, të raportosh nga një ngjarje e tillë nuk është aspak e lehtë për një gazetar, të cilit i duhet të raportojë për të vërtetën dhe i cili sipas saj dëshiron që të ulë tensionet tek njerëzit e tjerë.