Gazetarët e bojkotojnë konferencën e qeverisë për shkak të vonesës së Hekuran Muratit

Gazetarët e akredituar në Qeverinë e Kosovës e kanë bojkotuar konferencën e paraparë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për shkak të vonesës së tij.

Për këtë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, fajësoi mediat se konferenca nuk u mbajt meqë “interesi publik nuk u vendos në rend të parë”.

LEXO EDHE KETE

Zbulohen identiteti i personave që dyshohet se kërcënuan kryetarin Shaqir Totaj

Si arsye për vonesën e Muratit, Kryeziu e la një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar, derisa shtoi se kjo “situatë ka mundur të shmanget”.

“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, gazetarët e pranishëm sot që pritën Muratin të dalë në konferencë kanë shprehur mllefin me ekzekutivin, duke deklaruar se kjo nuk është hera e parë që një ministër vonohet në konferenca të tilla./Botapress.info/

ngjashme