Në vjeshtën e këtij viti priten të mbahen zgjedhjet lokale, për të përcaktuar edhe për një mandat të parët e komunave të Republikës së Kosovës. Qysh tash disa kryetarë, e politikanë tjerë kanë shpallur kandidaturat për të parin në komunat që synojnë.
Ndoshta më interesantja është gara për Prishtinën. Tashmë po dihet se kush do të jetë kandidat nga LDK, AAK, AKR, PDK dhe nga VV. Katër të parët e kanë konfrirmuar edhe zyrtarisht, ndërsa VV ende zyrtarisht nuk janë deklaruar, ndonëse përflitet emri i Arben Vitisë.
Më poshtë Gazeta ju sjellë këto kandidatura nga partitë politike për garën në kryeqytet:
Daut Haradinaj nga AAK
I pari që ka zyrtarizuar kandidaturën për të parin e kryeqytet është Daut Haradinaj nga AAK.
Për kandidaturën e tij ka njoftuar kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, njëkohësisht vëllai i Dautit, sipas të cilit me këtë kandidaturë, AAK-ja e konfirmon respektin për kryeqytetin, duke përmendur Ligjin për Prishtinën e kthimin e Pallatit të Rinisë të miratuara gjatë qeverisjes së tij.
“Për Kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë z. Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion”, thuhej në njoftimin e Ramush Haradinajt.
Përparim Rama nga LDK
“Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim”, kishte njoftuar Abdixhiku për profilin e Ramës.
Selim Pacolli nga ARK
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar të Prishtinës. Edhe në këto zgjedhje, Selim Pacolli do të kërkojë votën e kryeqytetasve për ta marrë drejtimin e Prishtinës.
Uran Ismaili nga PDK
Uran Ismaili edhe zyrtarisht ka shpallur sonte kandidaturën e tij për Kryetar të Prishtinës. Sipas tij, Prishtina për një kohë të gjatë vuan nga një dhimbje konstante, pikërisht si pasojë e dështimit të partive politike me Prishtinën.
“Sonte zyrtarizova kandidaturën për kryetar të Prishtinës. Për 20 vjet, partitë politike Prishtinën e bënë të pabanueshme nga brenda për të krijuar lagje të reja jashtë qytetit. Çdo banor, çdo lagje, çdo fshat po vuan mungesën e kujdesit. Duke e njohur Prishtinën, ëndrrat dhe potencialin e saj për jetë, unë e di që ky qytet nuk do të lejojë të përbuzet më. Kemi humbur shumë kohë, por bashkë mund ta fitojmë betejën për një Prishtinë të cilën të gjithë e duam dhe e meritojmë”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është paralajmëruar se do të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë.
Egzon Azemi, sekretar i kësaj qendre, tha se zyrtarizimi do të bëhet, duke respektuar afatet e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Sa i përket kandidatit për kryetar, ende nuk është zyrtarizuar nga organet e Lëvizjes që e kanë këtë kompetencë, mirëpo, kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve është që të jetë një nga ministrat më të mirë të kësaj qeverie, e besoj se shumë shpejt do të jetë publike”, thotë Azemi.
Kujtojmë, që zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të këtij viti. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur në Ministrinë e Financave planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, e që është mbi 7 milionë euro. Ndërsa, ky institucion ka ofruar shumën për rreth 3 milionë euro më pak./Botapress/