Për herë të parë që nga Kriza Kubane e Raketave, ne kemi një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e armëve bërthamore… Ne nuk jemi përballur me mundësinë e Armageddon-it që nga Kennedy dhe Kriza Kubane e Raketave”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, më 2022.
Paralajmërimi i ashpër erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, që ka pësuar humbje të mëdha në pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës që ai nisi dhe që është detyruar të rekrutojë qindra mijëra civilë në ushtri, tha se Qeveria e tij do të përdorë “të gjitha mjetet që ka në dispozicion “nëse kërcënohet integriteti territorial i Rusisë”.
Kjo nuk ishte hera e parë që ai ka përmendur mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në lidhje me luftën në Ukrainë. “Ky nuk është blof”, tha ai gjatë një fjalimi më 21 shtator 2022, kur njoftoi për mobilizimin e pjesshëm.
Pavarësisht retorikës së Putinit, zyrtarët perëndimorë kanë lënë të kuptohet se ata nuk kanë parë përgatitje konkrete për ndonjë sulm bërthamor nga Rusia dhe disa ekspertë kanë thënë se armët “nuk janë aq të vlefshme për të arritur objektivat ushtarake”.
Përderisa një sulm bërthamor rus në Ukrainë nuk duket se ka gjasa të ndodhë, rreziku për një garë të re të armëve bërthamore po vazhdon të rritet.
Viteve të fundit, Rusia dhe SHBA-ja janë tërhequr nga disa prej traktateve kyçe për kontrollin e armëve dhe vetëm një traktat – START i Ri – është ende në fuqi, por edhe ky traktat pritet të skadojë më 2026. Rusia thotë se pjesëmarrja e saj në traktat, që kufizon numrin e kokave bërthamore, lëshuesve dhe bombarduesve që dy nënshkruesit mund të dislokojnë, është pezulluar, edhe pse ka premtuar se tani për tani do t’iu përmbahet kufizimeve.
Nëse START i Ri skadon dhe nuk ka një traktat zëvendësues, dy fuqitë e mëdha bërthamore nuk do të kenë kufizime se sa koka bërthamore dhe makina për transportimin e tyre mund të dislokojnë. Këto dy shtete do të ishin pa kufizime në këtë drejtim për herë të parë që kur traktati START I hyri në fuqi 30 vjet më parë, më 1994.
Zhbërja e traktateve për kontrollin e armëve bërthamore nisi në fillim të vitit 2000, kur SHBA-ja u tërhoq nga Traktati Kundër Raketave Balistike. I nënshkruar më 1972, ky ishte një nga traktatet e para – së bashku me marrëveshjet e përkohshme që rezultuan në Bisedimet e para për Kufizimet e Armëve Strategjike apo SALT I, nga po ai vit, duke kufizuar dislokimin e kokave bërthamore. SALT I synonte shmangien e një gare të armëve duke ruajtur barazinë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.
Traktati ABM u dizajnua që të eliminonte një nga arsyet që SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik të kërkonin të kishin një arsenal të madh: Me vetëm një aftësi të kufizuar për të rrëzuar raketat, do të kishte më pak nevojë për sasi të mëdha të kokave bërthamore. Me tërheqjen e SHBA-së, Rusia menjëherë deklaroi se më nuk do t’iu përmbahej kufizimeve që ishte pajtuar me traktatin START II, të cilin të dyja fuqitë kishin vendosur t’i përmbaheshin edhe pse traktati nuk kishte hyrë zyrtarisht në fuqi.
Traktati tjetër i madh që u zhbë ishte Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), që ndalonte raketat që lëshohen nga toka, me rreze mes 500 deri në 5.500 kilometrash. SHBA-ja për një kohë të gjatë ka akuzuar Rusinë se nuk po e respektonte traktatin dhe administrata e presidentit të atëhershëm Barack Obama, gjeti se një raketë lundruese e testuar nga Rusia më 2014 kishte shkelur kufizimet e vendosura në traktat, sa i përket rrezes së veprimit. Më pas, administrata e presidentit Donald Trump u largua nga traktati në tetor të vitit 2018 dhe Rusia u përgjigj në të njëjtën mënyrë.
Këto traktate dypalëshe për kontrollin e armëve ulën numrin e kokave bërthamore nga rekordi prej mbi 60.000 sa ishin kur u nënshkrua traktati INF më 1987, në më pak se 10.000 kur u nënshkruar START i Ri më 2011.
Armiqtë e rinj
Përveç shkeljeve të supozuara nga Rusia të traktatit INF, administrata Trump përmendi mospjesëmarrjen e Kinës dhe nevojën për t’u përgatitur për një konflikt të mundshëm në Paqësorin jugor.
Zgjerimi i arsenalit bërthamor të Kinës paraqet një pengesë për negociatat bërthamore, pengesë që nuk kishte ekzistuar gjatë Luftës së Ftohtë kur arsenalet joamerikane dhe sovjetike – dhe ambiciet – ishin të vogla mjaftueshëm që të injoroheshin. Nën presidencën e Trumpit, SHBA-ja i lidhi mundësitë për një marrëveshje të re të mundshme me Rusinë me idenë që Kina duhej t’i bashkohej traktatit START i Ri apo ndonjë traktati tjetër bërthamor trepalësh. Vitin e kaluar, Komisioni i Kongresit për Qëndrim Strategjik i SHBA-së gjeti se SHBA-ja “më nuk është në gjendje ta trajtojë Kinën si kërcënim më të vogël bërthamor sesa Rusinë”.
Sipas SIPRI-t, Kina në mënyrë të konsiderueshme ka zgjeruar forcat e saj bërthamore dhe mund të ketë dislokuar “një numër të vogël të kokave të saj bërthamore” më 2023. Pekini pritet të vazhdojë të rrisë forcat e tij gjatë dekadës së ardhshme dhe deri atëherë mund të arrijë të ketë të dislokuara raketa balistike ndërkontinentale, aq sa kanë amerikanët dhe rusët, edhe pse në përgjithësi numri i kokave bërthamore që ka Kina vazhdon të mbetet i vogël.
Mbetet e paqartë nëse bota do të shoh rritje masive të rezervave të kokave bërthamore dhe të dislokimit të tyre nëse lejohet skadimi i traktati START i Ri, pa zëvendësimin e tij. Sipas Daryl Kimballa, kreu i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, SHBA-ja dhe Rusia kanë mënyra më efektive për të rritur madhësinë e arsenaleve të tyre të dislokuara bërthamore. Pas skadimit të traktatit, “ata do të kenë kapacitete për të dyfishuar numrin e kokave të dislokuara bërthamore duke ‘ngarkuar’”, që do të thotë rritjen e numrit të kokave bërthamore të pranishme në sistemet e lëshimit që veçse janë të dislokuara.
Pranay Vaddi, drejtori për kontrollin e armëve, çarmatosjes dhe mospërhapjes në Këshillin e Sigurisë të SHBA-së, tha se përderisa SHBA-ja duhet të jetë e përgatitur për kufizimet e vendosura me traktatin START i Ri “të zhduken pa zëvendësim”, nuk ka “nevojë të rrisim forcat tona bërthamore që ato të jenë të njëjta apo të jenë më të mëdha sesa numri i përbashkët i të gjithë konkurrentëve tanë”.
Duke pasur parasysh aftësinë ekzistuese të SHBA-së për kundërgoditje, është e kuptueshme që posedimi i më shumë koka bërthamore jo domosdo nënkupton se është më mirë. Vetëm një nëndetëse në mesin e tetë nga dhjetë që janë në det në çdo kohë ka rreth 100 koka bërthamore, të mjaftueshme që të “shkatërrojnë shtetin më të madh dhe të vrasin dhjetëra miliona persona”, tha Kimball.
Pavarësisht pamundësisë që forcat bërthamore të Rusisë dhe Kinës marrë së bashku, të nisin një sulm të parë të suksesshëm – një sulm që do të shkatërronte aftësinë e SHBA-së për të shkaktuar dëme katastrofike në kundërpërgjigjen e saj – SHBA-ja mund të ketë vendosur që të rrisë forcat e saj bërthamore. Raporti i Komisionit për Qëndrim Strategjik sa i përket përgatitjes për kërcënimet nga viti 2027 deri më 2035 thotë se forcat bërthamore të SHBA-së duhet të jenë “ose më të mëdha në përmasa, të ndryshme në përbërje, apo të dyja së bashku” nëse duan t’iu kundërpërgjigjen si një Rusie revizioniste, ashtu edhe një Kine që, raporti pretendon se “po ndjek rritjen e forcave bërthamore në përmasë dhe ritëm që nuk është parë që kur përfundoi gara për armët bërthamore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik në fund të viteve ‘80”.
Më shumë, më shumë, më shumë
Raporti i Komisionit po ashtu rekomandon se SHBA-ja urgjentisht duhet të “ngarkojë më shumë koka bërthamore në lëshuesit që veçse janë të dislokuar, të dislokojë apo të vendosë forca bërthamore në Azi-Paqësor, të planifikojë rritjen e numrit të bombarduesve bërthamorë, të shikojë mundësinë e përdorimit të lëshuesve tokësorë bërthamorë, që aktualisht nuk janë në arsenalin e SHBA-së dhe të përgatitet që në të ardhmen të dislokojë raketa balistike ndërkontinentale Sentinel në një konfigurim të ri që do të kishte më shumë koka bërthamore në një lëshues (aktualisht çdo lëshues i raketave balistike ndërkontinentale i llojit Minuteman III bart vetëm një kokë bërthamore, që është rezultat i kufizimeve të vendosura nga traktati START i Ri).
Në të njëjtën kohë, Rusia po ashtu po drejton burimet drejt përmirësimit të arsenalit të saj dhe testimi i kryer së fundi i një lloj të ri të një rakete të rëndë balistike ndërkontinentale, RS-28 Sarmat duket se ka dështuar.
Sarmat është një prej gjashtë armëve që Putini bëri publike gjatë adresimit të tij vjetor më 2018, kur përmes një video të animuar tregoi raketat ruse duke fluturuar drejt një caku, që dukej si Florida. Dy analistë amerikanë së fundi kanë pretenduar se kanë gjetur një vend tjetër të mundshëm dislokimi për një tjetër armë të Rusisë me aftësi bërthamore, që Putini më 2018 pretendoi se ishte “armë e pamposhtur”, të quajtur Burevestnik. Rusia po ashtu ka rritur mundësinë e rinisjes së testimeve bërthamore, duke përgatitur objekte në ishullin Novaja Temlja, ku Bashkimi Sovjetik kishte testuar bombën më të madhe bërthamore që ka shpërthyer ndonjëherë.
Më 25 shtator, Putin propozoi zgjerimin e propozuar të fushëveprimit të doktrinës bërthamore të Rusisë, duke sugjeruar se sulmet nga “vendet jobërthamore, me pjesëmarrjen apo mbështetjen e një vendi bërthamor” mund të nxisin një reagim bërthamor rus, duke iu referuar qartë Ukrainës dhe mbështetësve të saj perëndimorë. Të njëjtën ditë, Kina lëshoi një raketë bërthamore ndërkontinentale drejt Oqeanit Paqësor, në provën e saj të parë të një rakete të tillë jashtë territorit të saj në mbi 40 vjet.
Përveç “ngarkimit” potencial të kokave bërthamore në lëshuesit ekzistues dhe zhvillimi i sistemeve të reja të armëve, SHBA-ja së fundi ka njoftuar se do të dislokojë raketa lundruese jobërthamore në Gjermani, që më herët ishin të ndaluara sipas traktatit INF. Putini ka premtuar se do të përgjigjet duke hequr dorë nga moratoriumi që vetë ka vendosur për dislokimin e raketave me rreze të mesme veprimi, nëse SHBA-ja vazhdon me planin e dislokimit të këtyre armëve. Rusia po ashtu raportohet se ka dislokuar armë bërthamore në Bjellorusi, shtet që nuk ka pasur armë bërthamore në tokën e tij që nga fillimi i viteve ’90.
Me ndryshime të shumta që po ndodhin sa i përket forcave bërthamore dhe raketave konvencionale, raportet mes Perëndimit dhe Rusisë dhe Kinës janë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, dhe më shumë shtete po rrisin ndjeshëm rezervat e kokave të tyre bërthamore, bota veçse mund të jetë në fillim të një gare të re të armëve bërthamore, dhe nëse fuqitë bërthamore nuk pajtohen për kufizime të reja, kjo garë e re mund të jetë më e rrezikshme sesa gara e kaluar./REL/