Nga “naiviteti dhe pakujdesia” në institucione u tha se u bë rreshtimi i gardës së FSK’së para pllakës së ushtarëve serbë, që kanë kryer krime gjatë Luftës së Parë Botërore në Kosovë. Komandanti i FSK’së Bashkim Jashari tha se ushtarët ishin shkuar aty me ftesë të francezëve e gjermanëve, por pranoi se ajo që ndodhi ishte gabim. Por, eksponentë të partisë në pushtet që ishin të pranishëm aty, s’po gjejnë forcë të pranojnë gabimin. Zyrtarë të VV’së e shpallën lajm të rremë
Një album fotografish dhe pamje të tjera, ku shiheshin ushtarë të FSK-së pranë një pllake të shkruar me alfabetin cirilik, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka tronditur shumëkënd. Aty po nderoheshin ushtarët e rënë gjatë Luftës së Parë Botërore, në një ceremoni të organizuar nga ambasada gjermane dhe ambasada franceze.
12 orë përdhunim dhe dhunë brutale, detajet tronditëse: Shqiptarët e filmuan 23-vjeçaren..
Te varrezat e të krishterëve në Prishtinë, aty ku u bën nderimet, janë edhe varret e ushtarëve serbë të rënë gjatë viteve 1912-1918; koha kur janë kryer e dokumentuar krime masive të ushtrisë serbe ndaj popullsisë shqiptare. Nderimet ishin bërë po aty. Ushtarët e FSK-së ishin renditur po te pllaka e ushtarëve të rënë serbë.
Gazeta Express raportoi për këtë ngjarje, që ndodhi të premten më 11 nëntor. Të nesërmen, Ministria e Mbrojtjes doli me një arsyetim, e disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, si Arlind Manxhuka, mohonin atë që shihej, duke e konsideruar “lajm të rremë”.
“Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë“, thuhej në tentim justifikimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Bashkim Jashari, e pranon se është gabim ajo që ndodhi, por thotë se garda ka marrë pjesë me ftesë të ambasadave të Francës e Gjermanisë dhe nuk ka qenë qëllimi i nderimit të ushtarëve serbë.
“Garda ceremoniale ka shkuar me ftesë të Ambasadës franceze dhe gjermane. Janë afër edhe të rënët serbë. Ato [pllakat përkujtimore] janë afër me njëra-tjetrën”, ka thënë Jashari.
Profesori Blerim Latifi dhe studiues Shkelzen Gashi, të indinjuar nga pamjet, kanë reaguar disa herë për këtë ngjarje. Të dy konsiderojnë që institucionet nuk e kishin për qëllim nderimin e ushtarëve serbë, por u gjenden aty për shkak të paditurisë. Të dy thonë se institucionet duhet ta pranojnë gabimin dhe të kërkojnë falje qytetarëve.
“Kam dilemë nëse zyrtarët e institucioneve të caktuara e dinë se çka ka ndodhur realisht aty. Konsideroj se kjo nuk ka qenë e qëllimshme, por pasojë e një injorance të shtresuar brenda institucioneve të Kosovës”, ka thënë profesori Latifi.
“E kanë bërë për shkak të injorancës këtë. Është pasojë e mungesës së njohurive”, thotë studiuesi Gashi.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, si Arlind Manxhuka, e kanë cilësuar “lajm të rremë” raportimin me fotografitë, ku shihej qartë gjithçka.
Shkelzen Gashi thotë se reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes është skandal dhe njëjtë skandaloze e konsideron heshtjen e Ministrit Xhelal Sveçla, i cili ishte prezent në nderime. Më e pakta, sipas Gashit, është kërkim falja nga ta, jo mohimi.
“Më skandalizoi reagimi i ministrisë së Mbrojtjes dhe po më skandalizon akoma mosreagimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Më e pakta që mund ta bëjnë është më iu kërku falje qytetarëve të Kosovës dhe pse jo, me i dorëzu dorëheqjen kryeministrit Kurti”, ka thënë Gashi.
Ka zyrtarë të tjerë të pushtetit e edhe përkrahës që nuk po arrijnë ta justifikojnë pjesëmarrjen e gardës së FSK-së dhe ministrit Svecla në ceremoni.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, i ka reaguar ministrisë, duke thënë se nuk mund të justifikohet një veprim i tillë.
“Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetëvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Dugolli në poshtë postimit të Ministrisë së Mbrojtjes./Botapress.info/