Franca do të reduktojë udhëtimet nga Britania e Madhe për shkak të frikës nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron i cili po përhapet me shpejtësi.
Autoritetet franceze do të imponojnë një mori arsyesh për udhëtime dhe do të kërkojnë izolim prej së paku 48 orë për të gjithë që vijnë nga Britania e Madhe në Francë, njoftoi Qeveria franceze më 16 dhjetor. “Masat e reja do të hyjnë në fuqi të dielën, pas mesnate”, deklaroi mes tjerash kryeministri francez, Jean Catex.
Qeveria franceze po ashtu do të mbajë një takim të posaçëm të sigurisë për shkak të pandemisë të premten dhe do të adresojë presionin në rritje ndaj spitaleve franceze për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve javët e fundit.
Delta, mbetet varianti dominues në Francë ndonëse Omicron po përhapet me shpejtësi në Britani saqë ngriti shqetësime edhe në Francë.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë franceze, Gabriel Attal udhëtimet për punë apo udhëtimet turistike, në Francë do të “limitohen” ndonëse qytetarët francezë do të mund të udhëtojnë.
Masat e reja në Francë do të zbatohen për persona të vaksinuar dhe të pavaksinuar.
Britania e Madhe regjistroi numrin më të lartë të infektimeve me COVID-19 të mërkurën derisa ka paralajmërime që situata mund të përkeqësohet. Në Britani të Madhe janë duke u zhvilluar shumë studime lidhur me variantin, Omicron të koronavirusit.