Nga Beqir Sina
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku burrë e grua nga Kosova u gjetën të vrarë me armë zjarri në apartamentin e tyre, në Hallandale Beach – Florida.
Rrethanat dhe shkaqet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, kështu të paktën shkruajnë mediat e amerikane duke referuar ngjarjes në Florida.
Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku Pajtim Krasniqi (sipas shtypit kosovar nga Peja) është gjetur i vdekur bashkë me bashkëshorten e tij brenda banesës së tyre.
Lidhur me këtë tragjedi, ka reaguar edhe vetë motra e Pajtimit, Albana Krasniqi – Munrett, përmes një postimi në Facebook, të shkruar në gjuhën angleze.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori jetën atij.
“Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllëzërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë …”, ka shkruar mes tjerash Albana .
Më tej ajo citohet nga revista “People”: “Ditën e Falenderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen fatale dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”.
Sipas shtypit në qytetin ku ka ndodhur ngjarja thuhet se ky rast tragjik ndodhi në mesnatë, në katin e 45-të të apartamentit, ku qëndronte çifti i shqiptarëve të Kosovës. Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme, të cilat lanë të vdekur burrë e grua.