[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Flet i torturuari në kampet e UÇK-së në Shqipëri, dëshmitar i Gjykatës Speciale. “Ata duhet të jenë në varr”



Botapress, 14 Shkurt

Një gjykatë e re përballet me problemet e vjetra në mbrojtjen e dëshmitarëve për një kapitull të errët të luftës së Kosovës për liri.

Halili hap derën e metaltë dhe instinktivisht vë dorën në këllëfin e revolës austriake Glock të lidhur në bel për rripi. Një kamerë vëzhgon e varur mbi derë të hyrjes së oborrit, me objektiv të kthyer nga rruga. I është bërë rit të jetë i vëmendshëm për veten.
Kanë kaluar më shumë se 17 vjet që kur Halili (nuk është emri i tij i vërtetë) thotë se u burgos dhe torturua nga guerilët shqiptarë të Kosovës në një burg sekret në malet e thella të Shqipërisë veriore.

Si shqiptar i Kosovës, krimi i vetëm i Halilit ishte se i përkiste grupit rival të guerilasve për pushtetin e pasluftës.

BIRN nuk mund ta identifikojë Halilin me emrin e tij të vërtetë, t’ia përshkruajë dukjen apo vendndodhjen, për shkak të sigurisë së tij, përveç se të thotë se ai jeton në vendin e tij të lindjes në Kosovë, në mes të atyre të cilët do të donin ta bënin të heshtë.

Brenda pak muajve, ai pret të ngritet kundër torturuesve të tij si pjesë e një procesi shpërthyes për të hedhur dritë në pjesën më të errët të luftës së Kosovës për liri nga shtypja serbe, një luftë e cila fitoi mbështetjen vendimtare për bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Një gjykatë e re e krijuar së fundmi, me seli në Holandë, pritet t’i shpallë aktakuzat e para brenda disa javësh apo muajsh.

Suksesi i gjykatës varet nga Halili dhe kosovarët tjerë të gatshëm për të dëshmuar kundër ish- guerilasve politikisht të fuqishëm, heronj për shumë njerëz të afërt me ta.

Rreziqet janë të mëdha, si për stabilitetin e Kosovës dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur, ashtu edhe për dëshmitarët që kanë marrë guximin të flasin.

Të tjerë para tyre e kanë paguar me jetë, duke qenë viktima të njëlloj frikësimi sistematik i cili pengoi përpjekjet për të sjellë para drejtësisë guerilasit e dyshuar për krime lufte.

“Ata na torturuan dhe vranë”, thotë Halili. “Jetoj për të dëshmuar”.

Gjykata që financohet nga Bashkimi Europian, refuzoi të japë ndonjë detaj për këtë hulumtim mbi masat që po merr për të ofruar siguri për dëshmitarët, duke thënë se po punon “me çdokënd për të siguruar që janë vendosur masa adekuate për t’i mbrojtur dëshmitarët para, gjatë dhe pas gjykimit”.

Clint Williamson, hetuesi amerikan dëshmitë e të cilit ofruan bazën për gjykatën, në vitin 2014 paralajmëroi për përpjekje “të vazhdueshme” për ta minuar punën e tij përmes ndërhyrjes në dëshmitarë. Por, ai tha se do të ketë aktakuza.

“Jetoj për të dëshmuar” – dëshmitari anonim shqiptar i Kosovës kundër ish luftëtarëve guerilë.

Për shkak të kohës që ka kaluar dhe numrit të paktë të provave materiale, prokurorët do të varen shumë në dëshmitarët okularë. Shumë nga ta besohet të jenë larguar tashmë nga Kosova dhe disa të tjerëve do t’u jepet identitet i ri. Por të tjerë, si Halili, refuzojnë të largohen.

“Është e vështirë të fshihesh brenda Kosovës”, thotë Robert Dean, një ish- prokuror i misionit të OKB-së që e administroi Kosovën pas luftës së viteve 1998-1999.

Por, ai thotë se nuk beson se ata do ta nisnin punën e gjykatës “pa i vendosur mekanizmat (për mbrojtjen e dëshmitarëve)”.

‘Re të zeza mbi Kosovë’

Gjykata e re – e njohur si Dhoma e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – është themeluar për t’i gjykuar figurat e ish UÇK-së përgjegjës për atë që Williamson e përshkroi si “fushatë e ndjekjes” kundër serbëve dhe romëve pas luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe “vrasjet e jashtëligjshme, burgosjet ilegale dhe trajtimin jonjerëzor” të shqiptarëve të Kosovës të supozuar si rivalë politikë.

Williamson qe emëruar nga Bashkimi Europian për t’i hetuar pretendimet ndaj ish guerilëve në një raport tronditës të hetuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili thotë se UÇK u kishte hequr organet të burgosurve serbë në veri të Shqipërinë veriore për t’i shitur jashtë shtetit.

BE shpalli themelimin e një gjykate speciale për t’i ndjekur gjetjet e Williamson dhe Kosova, pas shumë zemërimeve dhe anktheve, mbështeti idenë me një votim parlamentar në gusht të vitit 2015.

Williamson, megjithatë, paralajmëroi se tashmë janë duke u bërë taktika sabotimi.

“Për sa kohë disa njerëz të pushtetshëm vazhdojnë t’i pengojnë hetimet rreth kriminalitetit të tyre, janë njerëzit e Kosovës që do ta paguajnë çmimin ngase kjo lë një re të zezë mbi vend”, tha ai.

Halili ka dëshmuar tashmë dy herë në Kosovë në gjykimet ndaj ish- guerilëve, të udhëhequra nga misioni i Bashkimit Europian, EULEX, i cili mori përsipër rastet e krimeve të luftës në Kosovë pasi vendi e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Ai nuk ka iluzion se identiteti i tij mund të mbetet sekret.

“Ata na premtuan se nuk do të njihemi”, tha ai për prokurorët europianë gjatë gjykimeve të para. “Por unë mendoj se ata (ish- UÇK) na njohin mirë”.

Mbrojtja e Halilit përfshin një revole Glock, një jelek antiplumb dhe kufizime të vetëimponuara të lëvizjes.

Ai tha t’i jetë ofruar zhvendosje nga Kosova, por kishte refuzuar.

“Nuk jam më i ri. Kam fëmijët me familjet e tyre këtu. Jemi familje e madhe dhe nuk mund të largohemi të gjithë”, tha ai.

Guximi

Kosova mori përgjegjësinë për t’i gjykuar krimet e luftës në fund të vitit 2014 dhe është në proces të zhvillimit të programit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Besimi, megjithatë, është i mangët, thotë Besim Kelmendi, një prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Për shkak të kontekstit politik dhe historik, dhe një tradite të mosbesimit në drejtësi, dëshmitarët ende nuk besojnë në gjykatat e Kosovës”, thotë Kelmendi për BIRN.

“Nën Tribunalin e Hagës, UNMIK-un dhe EULEX-in, pati dështime sistematike në mbrojtjen e dëshmitarëve”.

BIRN ka pyetur Zyrën për Informim të Tribunalit të OKB-së në Hagë rreth ankesave ndaj sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve por nuk ka marrë përgjigje. BIRN gjithashtu ka kontaktuar Helena Vranov Schoorl, drejtuese për mbështetje të viktimave dhe dëshmitarëve në këtë tribunal, e cila tha se një studim mbi përvojat e dëshmitarëve me këtë gjykatë thotë se duhet bërë më shumë për t’i zhvilluar dhe standardizuar mekanizmat mbështetës.

Një zëdhënës në UNMIK gjithashtu refuzoi të flasë për përvojat e misionit në mbrojtjen e dëshmitarëve.

Hopfel, gjykatësi në Tribunalin e OKB-së, thotë se opsionet e gjykatës së re janë të kufizuara dhe shumëçka do të varet nga garancitë e thjeshta.

“Duhet të forcohet inkurajimi i tyre, kjo është rruga e vetme”, tha ai.

Halili, dëshmitari me të cilin bisedoi BIRN, thotë se hetuesit europianë i kanë thënë t’i kontaktojë për shqetësimin më të vogël. “Jetoj sot për nesër”, thotë ai. “Jeta me kufizime të tilla është e rëndë”.

Poshtë më luginë dëgjohen krisma armësh, me gjasë nga ndonjë aheng familjar. Halili thotë se ndihet nën kërcënim të rritur. “Frikësohem për familjen, jo për veten”, thotë ai.

“Ata duhet të jenë në varr”, thotë ai për torturuesit. “Vetëm atëherë do të jemi baras”.

‘Menduam se po shkonte në Amerikë’

Fatime Selimaj kujton një ditë me diell shkurti të vitit 2003 kur biri i saj 23 vjeçar, Iliri, paketoi valixhet dhe la shtëpinë meqë kishte vendosur të dëshmonte kundër bashkluftëtarëve të tij të UÇK-së.

“Menduam se po shkonte në Amerikë”, thotë ajo. Por dy javë më vonë ai ishte kthyer. Ajo thotë se misioni i OKB-së në Kosovë i kishte thënë Ilirit se “mund ta dërgonin në Mal të Zi por ai refuzoi të shkojë atje”, me gjasë për shkak të afërsisë dhe një komuniteti të madh shqiptarësh në këtë shtet.

Dy muaj më vonë, në prill 2003, Iliri u qëllua për vdekje në timonin e veturës së tij në afërsi të shtëpisë në një fshat të Pejës. Gruaja e axhës së tij pesëmuajshe shtatzënë me binjakë u vra gjithashtu në veturë. Policia nisi një hetim por askush kurrë nuk u akuzua për vrasjen e Ilir Selimajt.

“Ky rast kishte rreziqe të mëdha, politikisht”, thotë për BIRN, ish prokurori i OKB-së në këtë rast, Kamudoni Nyasulu.

Nyasulu thotë se disa dëshmitarë në këtë rast ruheshin nga policia, por nuk ishin “saktësisht në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve”. Selimaj ishte njëri nga ta.

“Kjo përfshinte disa lloje masash të sigurisë dhe mbrojtjes që ishin marrë në faza të ndryshme të procesit gjyqësor”, thotë ai. “Kjo nuk garantonte mbrojtje 24 orë dhe nuk përfshinte kufizim të lëvizjes apo komunikimit”.

Familja Selimaj nuk bëri kurrë ndonjë ankesë formale në UNMIK rreth vrasjes dhe një zëdhënës i këtij misioni thotë se nuk ekzistojnë të dhëna për rastin.

Nyasulu kujton një ditë gjatë gjykimit teksa po drekonte, i shoqëruar nga truprojat, në rrugën e gjykatës, kur një i dyshuar i cili Nyasulu thotë se po garonte për një post politik u ul në tavolinën e tij. “A e dini se mund t’ju vras tani dhe asgjë nuk do të ndodhë”, citon Nyasulut’i ketë thënë burri, emrin e të cilit ai nuk pranoi ta tregojë.

Serbeze Haxhiaj është redaktore e lajmeve në televizionin publik të Kosovës, RTK. Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, e mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese