Të shtunën pas mesnate ndodhi një vrasje me armë zjarri në Ferizaj. I dyshuari kryesor për vrasjen të 30-vjeçarit Gazmend Hyseni, është Qëndrim Januzi, i cili në vendngjarje ka mbetur i plagosur.
Megjithatë, avokati i Januzit, Kastriot Zenuni tha se seanca është mbajtur në spital dhe se ende nuk e ka pranuar vendimin e paraburgimit.
“Gjendjen nuk e ka pasur shumë të mirë. Përgjigje ka mujt me thënë po ose jo. Edhe doktori ka thënë që gjendja e tij është kështu. Rekomandimi i doktorit ka qenë që nuk mundemi me malltretu me fol ai më shumë”, deklaroi në një prononcim për Botapress.info
Sidoqoftë, Policia me anë të raportit 24-orësh theksoi se i dyshuari Qëndrim Januzi është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili në ato momente ishte me rroba civile.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raport.
Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj. Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja”, thuhej në kumtesë të PK-së.