Vëllezër e motra,
Sot, më 5 janar 2022, u nda nga kjo botë njeriu i mirë i Zasellës, Mitrovicës e mbarë Kosovës, mësimdhënësi i dalluar, njëri ndër gazetarët më të mirë, veprimtar në fushën e kulturës, autor monografish dhe qindra e mijëra shkrimeve të tjera, nëpunës shumëvjecar në Kuvendin Komunal në Mitrovicë, drejtor në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, zëdhënës etj. Sot u shua një shpirt njerëzor, një demokrat i vërtetë në lëmin arsimit, kulturës e jetës politike.
Sot arsimi dhe kultura në Mitrovicë e më gjerë humbi intelektualin e spikatur që reflektoi në disa fusha të dijes, humbi njeriun e përkorë e altruist të vërtetë, humbi njërin ndër gazetarët më të mirë, i cili e ka drejtuar për disa vite Shoqatën e Gazetarëve në Mitrovicë, humbi një njeri shumë entuziast e me kulturë qytetare, një mik shumë besnik, të dashur dhe të çmuar, një mësimdhënës që ka lënë gjurmë të mira në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri, një bashkëbisedues të mrekullueshëm, gojëmbël e të dashur…
Hysni Syla lindi në fshatin Zasellë më 20 gusht 1950 nga babai Najli dhe nëna Sherifja në një familje bujare e arsimdashëse. Prindërit e tij rritën dhe edukuan për së mbari tetë fëmijë (shtatë vëllezër e një motër). Katër klasë të shkollës fillore i ka kryer në vendlindje, ndërsa tetëvjecaren e plotë në Tunelin e Parë, Gjimnazin në Mitrovicë, kurse Fakultetin Filozofil – Dega Filozofi-Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Dy vite shkollore (1971/72 dhe 1972/73 ka punuar mësimdhënës në shkollën fillore në Shupkofc e Zasellë. Në vitin shkollor 1976/77 ka vazhduar në Shkollën Teknike e në Fazën e Parë të Arsimit të Mesëm të Orientuar në Mitrovicë. Dhjetë vjet me radhë ka punuar në Bashkësinë Punuese të Komitetit Komunal si bashkëpunëtor profesional për informim. Në periudha të caktuara ka qenë mësimdhënës në disa shkolla të mesme në Mitroivicë, ku ka ligjëruar lëndët filozofi e sociologji. Në vitin 1978, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, ka bashkëpunuar me gazetën “Trepça”që botohej çdo javë nga Kombinati. Ka qenë bashkëpunëtor në RTP. Është zgjedhur edhe si korespondent nga Mitrovica për Radio Prishtinën. Ka qenë edhe zyrtar për informim, korespondent i të përditshmes “Rilindja”. Falë angazhimit dhe guximit të tij për herë të parë përgatitet buletini në gjuhën shqipe. Përvec kësaj, në këtë kohë angazhohet dhe në përgatitjen e gazetës lokale “Komuna”.
Në vitin 1989 iu bashkëngjit kërkesave gjithëpopullore për të mos u lejuar ndryshimet kushtetuese dhe rrënimi i subjektivitetit të Kosovës. Ka mbështetur Deklaratën Kushtetuese për shpalljen e Kosovës Republikë, ka mbështetur Grevën e Minatorëve, ka vazhduar misionin e shenjtë të mësimdhënësit në Gjimnaz, në Shkollën Teknike, ka bashkëpunuar me gazetat që dilnin në vitet ’90 (Kosova sot”, “Bota sot”) etj. Pas përfundimit të luftës në Kosovë është emëruar përgjegjës për informim në Kuvendin e Komunës. Gjatë periudhës 2012-2014 ka qenë drejtor i Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica, pastaj shef i Zyrës për Informim dhe zëdhënës i tij. Gjatë kryerjes së detyrës së zëdhënësit të Komunës ka bashkëpunuar me disa gazeta, ka kryer disa kurse etj. Shumë suksese të arsimit tonë në komunë, ne fushën e informimit, të kulturës dhe organizimit të administratës komunale në Mitrovicë e më gjerë, janë të lidhura me emrin e Hysni Syles. Emri dhe vepra e profesor Hysni Sylës është ngjitur me kohë në lartësinë e Përjetësisë. Pushoftë i qetë në dheun e tokës mëmë!…
Ai do të jetojë në një trajtë tjetër – në kujtesën e brezave..
Ngushëllojmë gjithë familjarët, miqtë e shokët dhe bashkëpunëtorët e tij.
Mitrovicë, më 5 janar 2022. Fazli Hajzrizi