[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Fisnik Ismaili e pranon se punon me Blerim Devollin



Deputeti i VV’së, Fisnik Ismaili, i ka pranuar publikisht marrëveshjet e kompanisë së tij me korporatën Devolli të Blerim Devollit, e cila së fundi ia ka marrë buxhetit të shtetit rreth 30 milionë Euro nga një betejë ligjore në Arbitrazh

Deputeti Ismaili, përmes një shkrimi në facebook ka treguar se Birra e Pejës dhe Z-Mobile, pjesë të korporatës Devolli, për disa vite shërbehen nga produktet që ofron kompania e tij e marketingut.

“Karrota njihet si kompania ma profesionale në treg, që ka ba reklama e brendime për krejt telekomat shqiptarë (Vala, IPKO, Z mobile, Albafone, AMC, Zog mobile), për plot banka e institucione financiare (Raiffeisen, BKT, Banka Ekonomike, Credins, KEP, etj), për shumë produkte ushqimore (Sempre, Kosova Foods, Vita, Kuqalashe, Birra Peja), e shumë e shumë prodhues shqiptarë”, shkruan deputeti i VV’së në facebook.

“Birra Peja është klient i Karrotës shumë moti. Si prodhues vendor që është, me FORT qef ia bajmë reklamat. Po, e njajta Karrotë në 2010 ia ka ba logon edhe krejt reklamat Z mobile, kur u pat futë në treg me shumë sukses. Karrota ka ba edhe plot logo të tjera. Edhe çdo kompanie vendore ME FORT QEF i kryejmë punë”, shkruan tutje Ismaili.

Korporata Devolli është cekur disa herë si kompani që po krijon monopol në vend, e afërt më të gjitha partitë politike në Kosovë.

Kjo korporatë ka në pronësi edhe një terminal doganor. Së fundi buxhetit të shtetit, Devolli ia ka plaçkitur rreth 30 milionë Euro në një betejë ligjore me PTK’në.

Gazeta Express ka raportuar disa herë për marrëdhëniet e dyshimta të VV’së me këtë korporatë, në veçanti me raportet e udhëheqësve të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu me birrarinë “Peja”.