[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Filmi ‘Home’ triumfon në BAFTA (FOTO)



Producenti i filmit “Home”, Shpat Deda, është shprehur i ngazëllyer pasi mori çmimin për Filmin më të mirë i Shkurtër Britanik, në “BAFTA Awards”.

Përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ai ka thënë se ky çmim po “vjen në shtëpi”, raporton “Zeri.info”.

“Pa tekst! Ky çmim po vjen #Home (Në shtëpi)!!! Urime të gjithëve të përfshirë në Kosovë dhe Britani të Madhe! #Bafta2017 #Britishshortfilm #Win”, ka shkruar Deda.

Ndryshe, ky film është prodhim mes Kosovës e Anglisë, me regji nga Daniel Mulloy, e ku një pjesë e mirë e ekipit filmik përbëhet nga emra shqiptarë si aktorja Arta Dobroshi, Shpat Deda, Zaki Ramadani, Eroll Bilibani, Mrinë Godanci, Elmedina Morina, Sally Campbell, Davud Karbassioun, Andrés des Rochers etj, raporton “Zeri.info”.

Filmi “Home” ka për temë “udhëtimin” e një familje britaneze dhe tregon se sa lehtë mund të shembët siguria që mendojmë se e kemi ndërtuar rreth vetës, dhe bashkë me atë, koncepti i asaj që quajmë “shtëpi”.

Duke qenë se vitet e fundit kanë shënuar krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë e Botërore, tema e këtij filmi i bie të prek qytetarët nga vende të ndryshme të botës.

Xhirimet e këtij filmi janë bërë në Janjevë dhe në Graçanicë, raporton “Zeri.info”.

Inspirimi për këtë film ka lindur gjatë edicionit të fundit të Festivalit DokuFest, ku është trajtuar tema e migrimit.

Me rolet kryesore paraqitën aktorët Jack O’Connell, fitues i çmimit BAFTA dhe Holliday Grainger, e njohur për rolin në filmin “Great Expectations”, kurse në rolet e tjera aktorët shqiptarë Zaki Ramadani, Andi Bajgora, Edison

Dabiqaj, Adriana Matoshi, Armend Ismajli e Rifat Smani. Producent kosovar i filmit është Shpat Deda.