[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ferizaj: Debatohet për ”Banesat në bashkëpronësi, të drejtat dhe përgjegjësitë e pronarëve”



INPO me qëllim të kontributit në proceset publike lokale dhe promovimin e qeverisjes së mirë lokale ka filluar implementimin e projektit “Programi për Qeverisje të Mirë”.

Në kuadër të këtij projekti INPO këtë të hënë ka organizuar një takim publik me qytetarë, zyrtarë komunal dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rreth informimit me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e qytetarëve ndaj ndërtesave të banimit në bashkëpronësi, që parashihet me Ligjin Nr.04/L-134.

Hapjen e këtij debati e bëri drejtoresha e organizatës INPO Albulena Ndrecaj e cila me këtë rast ka theksuar se vet ky projekt ka rëndësi të madhe për të gjithë qytetarët e Ferizajt, në mënyrë që të njoftohen ne detaje lidhur me të gjitha proceset që kanë të bëjnë me “Banesat në bashkëpronësi, të drejtat dhe përgjegjësitë e pronarëve”.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me këtë ka shpreh kënaqësinë e tij për pjesëmarrje në këtë takim publik, i cili tha se do të shërbeje për të gjithë të pranishmit lidhje me njohuritë rreth të drejtave, përgjegjësive dhe detyrimeve të qytetarëve ndaj ndërtesave të banimit në bashkëpronësi.

“Qytetarët e Ferizajt e kujtojnë me keqardhje rastin kur një person kishte humbur jetën para disa viteve nga rënia e një cope të ballkonit të një ndërtese në qytet. Me atë rast ishin shtruar dilema se e kujt është përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe meremetimin e ballkoneve, çative ose pjesëve të banesave. Është shumë mirë që kemi një ligj, i cili e rregullon këtë fushë, por ligjet duhet njohur dhe zbatuar. Prandaj, në këtë kuptim e shoh këtë tubim të sotëm, pra të njohjes sa më të mirë të dispozitave ligjore që i rregullojnë detyrat dhe obligimet e qytetarëve si banorë të ndërtesave në bashkëpronësi, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e mbikëqyrësve të zbatimit të ligjit. Nga ky tubim pres që të kemi informacione më të hollësishme rreth të drejtës së pronësisë në elemente të përbashkëta të ndërtesave të banimit, për krijimin, ndryshimin dhe shuarjen e bashkëpronësisë, për shfrytëzimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, për organet vendimmarrëse në banesa dhe për ndarjen e përgjegjësive, administrimin dhe mirëmbajtjen e bashkëpronësisë në ndërtesa, për mbikëqyrjen e dhe masat ndaj mosrespektimit të ligjit për banesat e banimit në bashkëpronësi, e të ngjashme”, ka thënë kryetari Svarqa.

Në këtë diskutim publik ishte paraparë që të merrte pjesë edhe Kaltrina Drançolli, nga divizioni i banimit në MMPH,por kjo e fundit nuk ishte e pranishme në takim.

Me këtë rast edhe qytetarët ferizajas, kanë diksutuar gjerë e gjatë lidhur me temën ”Banesat në bashkëpronësi, të drejtat dhe përgjegjësitë e pronarëve”.

U bë e ditur se ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).16708397_1432809240087228_5897491176300542313_n