[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Fëmijët po helmohen nga ndotja e ajrit në Prishtinë



Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, kanë ngritur prapë shqetësime sa i përket ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Në një raport më të detajuar nga këto dy OJQ, të cilat kohë pas kohe kanë bërë matjen e ajrit, duke përfshirë këtu edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, por edhe vetë matjet e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës – tregojnë vlera skandaloze të ndotjes së ajrit.

Madje nga matjet e këtyre dy OJQ-ve, shihet se ndotja e ajrit në qendër të Prishtinës është më e lartë se në Dragodan, aty ku janë të vendosura matësit e Ambasadës së SHBA-ve, gjë që mohon argumentin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë se Dragodani është më i ndotur sesa qendra e Prishtinës, duke synuar kështu ti zhvlerësojnë të dhënat e bëra nga ambasada e SHBA-së, transmeton kp.

Ata po fajësojnë ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Ferat Shala, i cili po jep deklarata skandaloze nëpër media, duke tentuar kështu ta normalizoj gjendjen që sipas tyre është jonormale.

Madje i kanë bërë edhe një analizë deklaratave të tij.“E para, ministri Shala, në fillim të fjalisë thotë se “situata vazhdon të jetë pothuajse me parametra të njëjtë me vitin paraprak.”, ndërsa më vonë tregon se “situata këtë vit është 50% më mirë sesa në vitin e kaluar.”. Ministri Shala duhet ta dijë se 50% përbën gjysmën e vlerës, prandaj, siç edhe ai dëshiron ti referohet, as ‘shkencëtarisht’ situata e vitit të kaluar nuk del e njëjtë me këtë vit. E dyta, ministri Shala thotë se “duke marrë nga të gjitha të dhënat statistikore, relevante dhe të besueshme të institucioneve tona…” tenton që të aludojë se vetëm të dhënat e Ministrisë së Mjedisit janë të ‘besueshme’ dhe çdo e dhënë tjetër nuk është e besueshme”, thuhet në këtë reagim të dy OJQ-ve.

Ata i kujtojnë ministrit Shala se Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, të vitit 2014/2015/2016, japin një kritikë të rëndë punës së institucioneve, ndërmjet tjerash duke thënë se “jo-mirëmbajtja e veglave matëse si dhe jo-kalibrimi i rregullt i tyre mbesin problem i madh sepse direkt rrezikojnë kredibilitetin e të dhënave”.

Duke dashur që ministrit Shala t’ia tregojnë të vërtetën për ajrin, OJQ PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, që nga muaji janar 2017, në mënyrë sistematike (dy herë në ditë: paradite dhe pasdite), kanë bërë matje brenda dhe jashtë shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Kjo zonë siç edhe thuhet në këtë reagim është një nga zonat më të ndotura si shkak i trafikut të lartë.Në bazë të të dhënave të publikuara edhe në hartat më poshtë, këto dy OJQ kanë dëshmi të plota që tregojnë se fëmijët e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë janë në rrezik të përhershëm, sidomos gjatë ditëve me smog, si pasojë e ndotjes së lartë të ajrit.

“Raporte dhe studime të ndryshme nga institucionet, universitetet dhe qendrat më me renome botërore tregojnë se ekspozimi i fëmijëve në ndotje kaq të lartë të ajrit shkakton pasoja të rrezikshme në shëndetin e tyre”, thuhet në këtë reagim.E po ashtu sjellin dhe një listë pasojash që fëmijët e shkollës fillore “Faik Konica” rrezikojnë ti fitojnë si pasojë e ekspozimit të tyre ndaj ndotjes së ajrit.