[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

FC Prishtina, për sukses në Gjermani



FC Prishtina U-15 do të shkojë me optimizëm për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Iserlohner Cup 2017”, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 janar në Gjermani, shkruan sot gazeta Zëri.

Pasi po dominojnë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë, futbollistët e trajnerit Ali Osmani do ta kenë mundësinë që për dy ditë t’i matin forcat me moshatarët e tyre të klubeve të njohura evropiane.

Image

Njëri prej talenteve më të mëdhenj të FC Prishtinës është edhe Erjon Morina. 14-vjeçari synon të shfaqë paraqitje mbresëlënëse në Gjermani dhe pse jo t’ju bie në sy edhe menaxherëve të huaj.

Ai premton se do të mundohet ta ndihmojë skuadrën duke e dhënë maksimumin.

Image

“Jam më se i entuziazmuar dhe mezi pres që bashkë me shokët e ekipit, me të cilët luajmë bashkë qe 8 vjet, të takohemi me bashkëmoshatarët tanë evropianë. Është një turne që rrallëherë vjen rasti të marrësh pjesë në të tillë dhe nga përvoja ime, pasi kam luajtur 2 javë në Luzern, kam qenë në prova me Ajaxin dhe aktualisht luaj me Kombëtaren e Shqipërisë, e di se mund të kemi sukses e pse jo të jemi edhe më të mirët e turneut”, u shpreh sulmuesi kosovar për “Zërin”.

Image

Në këtë turne pritet të ketë edhe menaxherë dhe skautë të klubeve të ndryshme evropiane dhe ky fakt e motivon lojtarin.

“Normalisht, do të angazhohem maksimalisht sepse secili futbollist i ka ëndrrat e veta që të luajë në një ekip të mirë evropian dhe unë shpresoj që ne si grup të arrijmë sukses. Më shumë jemi të motivuar si grup e jo si individ. Ky turne i mbledh ekipet më të mira të Evropës dhe ky është një motiv shtesë dhe kam punuar shumë për këtë turne dhe për provat që do të shkoj”, nënvizoi Morina, i cili në mars pritet t’i bashkohet prapë Luzernit, ku synon të qëndrojë për një kohë të gjatë.

Image

Kontingjenti prishtinas, i cili përbëhet nga 15 futbollistë, do të niset drejt Gjermanisë të premten.

FC Prishtina ka përfunduar në Grupin A, së bashku me ekipet e njohura gjermane si FC Schalke 04, VFB Stuttgart, Hamburger SV, si dhe Stadtauswahl Iserlohn.

Ndërkaq, në këtë turne do të marrin pjesë edhe klube të tjera të njohura evropiane si: Arsenali, Borussia Dortmundi, Rapid Vjena, Werder Bremeni, Hertha, Bayer Leverkuseni, Kolni, Dinamo Zagrebi, etj. /Zëri/