Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave politiko-partiake dhe të njëjtat mund të përjetohen në Shqipëri dhe në Kosovë, pra në shtetet që drejtohen nga qeveritë shqiptare. Ministria e kulturës, përveç që ka obligim të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve nëpër institucionet kombëtare kulturore, është e obliguar që në programin e vet nacional vjetor të përfshijë edhe organizata e shoqata që merren me aktivitete kulturore.
Pa dyshim, edhe kulturën e kemi komercializuar deri në përmasa të “firmave fitimprurëse” dhe, fatkeqësisht, për këtë poshtërsi përkujdesen partitë tona, pastaj individë nga legjislativi dhe ekzekutivi kombëtar, të cilët gjejnë mënyra se si t’u dalin nga borxhi militantëve dhe përkrahësve të vetë! Le të formohen sa më shumë shoqata e organizata, nga të gjitha fushat e kulturës se fonde ka mjaftueshëm për të gjithë! Kjo është logjika e diletantëve dhe snobëve që nuk dinë se si të dëshmohen si “intelektualë” dhe “akademikë” të kombit! Jo gjithnjë ndahen të kënaqur të gjithë! Që të gjitha organizatat dhe shoqatat varen nga koalicionet qeveritare! Në të dyja shtetet tona ministritë gjegjëse gjenden edhe nën presionin partiak të strukturave të ndryshme të pushtetit, por edhe nën presionin e favorizimeve të udhëheqësve (por edhe komisioneve!) të dikastereve përkatëse. Si rrjedhojë e këtyre qëndrimeve imorale në raport me jetën kulturore, kemi subjekte e persona të favorizuar dhe, të tjerët, “të diskriminuar”! Këtu kemi ankesa e “protesta” nga ata që ngelin jashtë sferës së favorizimeve si pasojë e pozicionimit opozitar dhe, në raste të tilla, absolutisht nuk kemi kurrfarë “diskriminimi”! Jeta kulturore institucionale është në nivel dhe përtej mundësive, subvencionohen edhe dy-tri e më shumë ansamble, shoqata, organizata, botues etj!
Për ta kuptuar diskriminimin kulturor, mjafton që të hidhet një sy në viset e tjera etnike, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriu, të Luginës së Preshevës e të Malit të Zi! Çuditërisht, edhe nga këto vise shpesh kemi dëgjuar “për diskriminime kulturore”, të cilat nuk vijnë nga subjektet politike, nuk vijnë nga institucionet dhe asociacionet që e llogarisin veten si bartës të jetës kulturore shqiptare. Fatkeqësisht, konstatime të tilla faktike vijnë nga individë që përfaqësojnë një shtëpi botuese, nga ndonjë “ansambël”, nga ndonjë shoqatë jo-fitimprurëse, nga ndonjë artist që thjesht kanë ngelur jashtë “tavolinës së kekut” kulturor! Të tjerët që kanë marrë ndonjë kockë sa për ta lëpirë, ndahen të kënaqur me politikat nacionale kulturore si të dikasterit gjegjës të qeverisë maqedonase, ashtu edhe të dikasterit kulturor qeveritar serb e malazez! Të pakënaqurit, nëse subvencionohen pas ndonjë ankese eventuale për diskriminim kulturor, shumë shpejt e harrojnë këtë shprehje që absolutisht duhet të jetë dukuri që brengos e jo vetë një fjalë goje!
Kjo lojë e ndytë e artdashësve dhe kulturëdashësve si dhe mungesa e politikave të qarta kulturore që do të duhej të ishin diga të pakalueshme përgjatë formimit të koalicioneve qeveritare, na bëjnë të dukemi jo seriozë, qaramanë dhe politikisht të papjekur e të pangritur. Të hamë tortën e “korridorit” e ta heshtim dhe ta fusim në cergë tortën e turpit të gatuar me inferioritetin dhe diletantizmin tonë karshi jetës institucionale kulturore, kjo flet për një primitivizëm të llojit të vet!
Pa dyshim, botës i duhen korridore e autostrada, por shqiptarëve të viseve etnike, mbi çdo gjë tjetër, i duhen institucione kulturore si dhe zhvillim të jetës kulturore institucionale. Diskriminimi kulturor shtetëror që i bëhet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Luginës dhe Malit të Zi, nuk kompensohet me asnjë sukses në infrastrukturën rrugor. Për kulturën shqiptare nuk ka buxhet, sepse po e orientojmë në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore! Ndërsa institucionet nacionale kulturore të maqedonasve, të serbëve apo malazezëve, duhet të funksionojnë, sepse ato ekzistojnë, nuk guxojnë të mbyllen!
Shkurt, mosfinancimi i një libri, mosfinancimi i një shfaqje, i një koncerti, i një ekspozite etj., nuk është diskriminim kulturor, por, thjesht, politikë favorizuese apo disfavorizues subjektive e personave që drejtojnë ministritë për kulturë e që i kanë për do shqiptarë “të mirë” e “të ndershëm” si dhe për shqiptarët opozitarë “që kanë tipare të njerëzve të egër e të këqij”, ndonëse këta mund të jenë përfaqësues reprezentativ apo ajka e kulturës shqiptare në viset ku jetojnë! Mospasja dhe mos-zhvillimi institucional i jetës kulturore shqiptare ky po që është diskriminim politik shtetëror kundër kulturës nacionale të një etnie! /HEJZA/