I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar pas nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Kosovës tha se marrëveshja është shenjë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të bashkuara.
“Kosova është një partner jashtëzakonisht i mirë në rajon, është një vend kompentent në marrëdhënien tonë në rajon. Gjithçka që mund të bëjmë për ta thelluar bashkëpunimin, jemi të lumtur ta bëjmë”, tha ai.
LEXO EDHE:
Hovenier ka disa fjalë pasi Kosova ratifikon marrëveshjen me MCC-në me “shpejtësinë e dritës”
Escobar tha se është e rëndësishme për të gjithë rajonin që të distancohet nga energjia ruse pasi Rusia e shfrytëzon atë si armë.
Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, lidhur me rrezikun e ndikimit të situatës së krijuar në Ukrainë dhe synimeve të Moskës tek Ballkani Perëndimor, zoti Escobar u shpreh optimist për zmbrapjsen e këtyre synimeve në rajon.
“Asnjëherë nuk kemi parë një unitet të tillë që kemi tani brenda NATO-s dhe unitetin që kemi me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar që siguria evropiane është përparësia jonë më e madhe. Në këtë kontekst e konsiderojmë edhe Ballkanin Perëndimor dhe besoj që Ballkani Perëndimor do të jetë në rregull”, tha ai.
Ai shtoi se megjithë sfidat e ndryshme, të gjitha vendet e rajonit kanë përkrahjen dhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara.