Para vizitës në Prishtinë dhe Beograd të përfaqësuesve special të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, në publik po flitet për disa modele të reja të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, transmeton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Kështu ka thënë për mediat vendase më 26 janar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hoviener. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Ekzistojnë disa modele që ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe ne kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta marrë parasysh atë çështje”, ka thënë Hovenier.
Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse dikush deri më tani i ka prezantuar modele të reja të mundshme të Asociacionit. Në të njëjtën kohë, e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën thekson se “modeli i vetëm i ekzistencës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është siç është marrë vesh dhe nënshkruar nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka krahasuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, duke shtuar se nuk do të lejojë formimin e tij me pushtet ekzekutiv sepse kjo do të çonte në “mosfunksionim të vend”.
Nga ana tjetër e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në pyetjen e REL-it nëse janë paraqitur modele të reja të formimit të Asociacionit. Në vend të kësaj, thuhet se në marrëveshjet e Brukselit për formimin e Asociacionit të arritura deri më tani, “ekziston vetëm një model i ekzistencës së Asociacionit, siç është rënë dakord dhe nënshkruar nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja”.