Enemo: Procesi i votimit kaloi mirë, pavarësisht mjedisit konkurrues

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ENEMO (IEOM) në Kosovë ka mbajtur konferencën e dytë për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit 2021.

“Procesi i votimit për balotazhet e kryetarëve të komunave në përgjithësi u administrua mirë nga administrata zgjedhore. Pavarësisht afatit kohor të kufizuar për fushatë dhe një rritje të retorikës së ashpër ndërmjet dy raundeve, kandidatët për kryetar komunash në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirshëm dhe në një mjedis konkurrues. Mospërputhjet e shumta në rezultatet e zgjedhjeve të raundit të parë çuan në një proces të gjatë dhe kompleks të rinumërimit ndërmjet dy raundeve, gjë që mund të ketë ndikuar në besimin e publikut në rezultatet, veçanërisht për asambletë komunale”, thuhet në komunikatën e ENEMO-s.

Në këtë konferencë për shtyp, IEOM e ENEMO-s në Kosovë ka prezantuar Raportin e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Preliminare në lidhje me zhvillimin e raundit të dytë (14 Nëntor) të Zgjedhjeve Lokale. Folës në konferencën për shtyp kanë qenë: Z. Pierre Peytier, Kreu i Misionit, Znj. Elene Nizharadze, Zëvendëse-kryesuese e Misionit, Z. Bosko Nenezic, Analist i Zgjedhjeve/ Vëzhgues i KQZ-së, Znj. Kristina Kostelac, Analiste e Fushatës Politike dhe Znj. Maja Milikic, Analiste e Mediave./Botapress.info/

ngjashme