Fondi Monetar Ndërkombëtar ia ka shuar shpresat kryeministrit Albin Kurti se Kosova mund t’i afrohet me rritje ekonomike Kroacisë. Sipas raportit të muajit prill të FMN’së, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike prej 2.8 % dhe jo 3.8 sa parashikohej në janar, që i bie një rënie për 1%.
Të rralla janë rastet kur kryeministri Albin Kurti ka mbajtur ndonjë konferencë apo ka dhënë ndonjë intervistë, e s’është ndalur pak te rritja ekonomike. Thoshte se rritja ekonomike gjatë qeverisjes së tij është “e pashembullt në Ballkan”.
Me parashikime kishte shkuar kogja larg, saqë kishte thënë se nëse vazhdon kjo rritje do të mund t’i afrohemi edhe Kroacisë.
Deklaronte se janë 800 euro bonus nga rritja ekonomike.
“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore që ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetori dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019”, thoshte Kurti.
Por, bazuar në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kurti po del të jetë ngutur me këto deklarata, shkruan Gazeta Online Reporteri.net
FMN pret që prodhimi vendor bruto (GDP) i Kosovës të rritet për 2.8 për qind këtë vit, jo 3.8 sa parashikohej në janar, që i bie një rënie për 1%.
Rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9 për qind vitin e ardhshëm dhe në 3.5 për qind më 2027, tha FMN-ja në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, publikuar të martën.
Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5 për qind.
Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023, tha FMN-ja.
Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1 për qind si përqindje e GDP-së më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9 për qind më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7 për qind më 2023.
FMN-ja pret që GDP-ja e zonës së Evropës në zhvillim, ku përfshihen edhe Rumania, Turqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të ulet për 2.9 për qind më 2022 para se t’i kthehet një rritjeje prej 1.3 për qind më 2023.
“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë të kushtueshme humanitare, e cila kërkon zgjidhje paqësore. Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes globale më 2022 dhe shtim të inflacionit. Çmimet e ushqimit dhe naftës janë rritur shpejt, duke i goditur më së shumti popullsitë e ndjeshme në shtetet me të ardhura të ulëta”, theksoi FMN-ja.
Për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind./Botapress.info/.