Vendimi i datës 3 shkurt të Kryesisë së LDK-së i aprovuar edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i datës 4-7 shkurt 2022 e ka përfshirë edhe Degën e LDK-së në Obiliq, si pjesë të reformës zgjedhore në këtë degë.
LDK-ja në këtë komunë tash e tri mandate ka humbur pushtetin, dy herë përballë Xhafer Gashit, kandidatit të AAK-së dhe njëherë nga po i njëjti kandidat, nga Lëvizja Qytetare e Obiliqit.
Humbjet e LDK-së në Obiliq janë përcjellë me përplasje të mëdha të brendshme të kësaj Dege që datojnë prej se në krye ta komunës dhe në krye të Dëgës erdhi Mehmet Krasniqi, shkruan Botapress.
Krasniqi përveç se humbi tri herë rresht garën përballë Xhafer Gashit, arriti ta përçajë Degën dhe anëtarësinë e LDK në Obiliq, e që një pjesë e madhe e saj kaloi në përkrahje të Xhafer Gashit gjë që i mundësoi tri herë fitoren rresht për kryetar të komunës.
Por duket se tashmë ka marrë fund “epoka e Mehmet Krasnqit” në LDK.
Komisioni Qendror i LDK-së në krye me Gazmend Muhaxherin ka emëruar Komisioni Koordinues për zgjedhjet e jashtëzakonshme të LDK së Degës në Obiliq në këtë përbërje:
Bajram Hashani, Ganimete Aliu, Urim Greiçevci, Arben Berisha dhe një anëtar nga Kryesia e LDK-së.
Ky komision ka për detyrë që të organizojë zgjedhjet në Degën e LDK-së, përkatësisht të organizojë Kuvendin e Degës për të zgjedhur kryetarin e Degës.
Paraprakisht kryesia e vjetër në krye me Mehmet Krasniqin është shkarkuar dhe asnjë prje tyre nuk kanë të drejtë gare për të parin e LDK-së në këtë komunë.
Burime të Botapress-it brenda LDK-së në Obiliq bëjnë të ditur se anëtarët e këtij Komisioni koordinues janë “njerëz të Xhafer Gashit” dhe se zgjedhja e tij në krye të LDK-së është punë e kryer që pritet të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.
Kujtojmë se Botapress disa herë ka ftuar anëtarësinë dhe strukturat e LDK-së që t’i ofrojnë Xhafer Gashit drejtimin e LDK-së në Obiliq për shumë arsye: Në radhë të parë për të larguar nga skena politike Mehmet Krasniqin si dhe për të rikthyer anëtarësinë e LDK-së dhe njerëzit që u larguan nga LDK nga Mehmet Krasniqi.
Me asambleistët e LDK-së dhe të Xhafer Gashit, LDK përsëri bëhet partia e parë në Obiliq dhe kështu rikthehet LDK-ja edhe njëherë në këtë komunë që pas luftë për disa vjet ishte bastion i LDK-së shkruan Botapress.