[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ekspertja britanike: Rusia mund të pranoj pavarësinë e Kosovës



Një nga ekspertet më të respektuara të Britanisë, Mary Dejevsky, e cila merret me çështjet e Rusisë thekson mundësinë që Rusia të pranojë pavarësinë e Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në mes të Uashingtonit dhe Moskës, pasi Donald Trump të merr frenat si President amerikan.

Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur dëshirën e tij për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin shumë shpejt pas inaugurimit të tij dhe për të vënë lidhjet amerikano-ruse në një pikëmbështetje të re. Dejevsky, e cila rregullisht takohet me udhëheqësit e Kremlinit nëpërmjet Grupit Valdai, sugjeroi se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një pakete që synon mbylljen e çështjeve të ndryshme diplomatike pas Luftës së Ftohtë.

Në artikull, Dejevsky përshkruan Trumpin si një njeri të marrëveshjeve që së shpejti do të shqyrtoj me kujdes nëse udhëheqësi rus ishte serioz në lidhje me paralajmërimin e tij për bashkëpunim bilateral. Megjithatë, Dejevsky thotë se Putin ka investuar shumë në arritjen e një marrëveshjeje me Administratës e re amerikane, dhe nuk do të lejojë që kjo mundësi t’i rrëshqas nga dora, pasi kjo do të dëmtonte imazhin e tij, transmeton “Zeri.info”.

Rusia e ka kundërshtuar me forcë njohjen e Kosovës, e cila u nda nga Serbia me ndihmën ushtarake perëndimore në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë e plotë në vitin 2008. Shumica e vendeve perëndimore, duke filluar nga SHBA-të, e kanë njohur shtetësinë e saj, por Serbia, Rusia, Kina, pesë shtete të BE-së dhe shumë vende të tjera nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Vendet jo-njohëse përfshijnë shumicën e vendeve në Amerikën Qendrore e Latine dhe Azi dhe rreth gjysmën e shteteve në Afrikë. Ritmi i njohjeve është ngadalësuar edhe në vitet e fundit; vitin e kaluar kishim vetëm dy njohje nga Surinami dhe Singapori. Në total, rreth 110 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa njohja ruse do të përshëndetet si një përparim i madh në Kosovë, ajo do të vijë si një goditje e madhe për aleatin historik të Rusisë, Serbinë. Beogradi është zotuar se kurrë nuk të pranojë shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon të pretendojë Kosovën “si pjesë integrale të territorit të saj kombëtar”, edhe pse ka rënë dakord për “normalizimin” e marrëdhënieve me Kosovën nën ombrellën e BE-së.