Vitin e kaluar Gazeta kishte bërë një hulumtim të detajuar rreth tenderit 8.4 milionë euro për ushqim në FSK. Gjatë këtij hulumtimi janë evidentuar shkelje flagrante që kishte bërë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe ajo që është më kryesorja ky tender i ishte dhënë kompanisë “Beni Dona” me çmim prej 1.2 milionë euro më shtrenjtë se kompania që e kishte fituar për tri herë me radhë nga ana e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Mbrojtjes).
Kompania “Beni Dona” këtë tender e kishte fituar kundërligjshëm, ku përveç çmimit më të shtrenjtë në dosjen e tenderit kishte futur çertifikata të falsifikuara për ISO-standarde të kompanisë gjermane “Royal Cert”.
Menjëherë pas publikimit të këtij hulumtimi, institucionet shtetërore kishin filluar hetimet për keqpërdorimet shumë milionëshe që ishin bërë në këtë tender. Mirëpo, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishte mbyllur hetimet duke mos ngritur asnjë aktakuzë edhe pse faktet ishin evidente.
Sipas burimeve të IndeksOnline, Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte detyruar ta riiniconte rastin pas reagimeve të ndërkombëtarëve, mirëpo ato përsëri janë zvarritur edhe pse faktet dhe provat janë evidente.
IndeksOnline mëson se policia për krime ekonomike kishte sjellë prova para prokurores së rastit Merrushe Llugiqi se kompania “Beni Dona Plast” kishte falsifikuar certifikatat për ISO standarde të kompanisë Gjermane “Royal Cert International Registrars GmbH”.
Mirëpo, prokuroja e rastit me qëllim që t’i zvarriste hetimet dhe veprimet konkrete kishte urdhëruar policinë që përmes zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar pranë Ministrisë së Drejtësisë të bënte kërkesë për ndihmë juridike të autoritetet e Shtetit të Gjermanisë.
Menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, autoritetet Gjermane, përkatësisht ministria Federale e Drejtësisë ishte aktivizuar dhe i kishin vërtetuar dokumentet që ishin të falsifikuara dhe këto dokumente kishin arritur përmes postës së shpejtë ‘DHL’ në Ministrinë e Drejtësisë.
IndeksOnline ka siguruar përkthimin zyrtar të këtyre dokumenteve të dërguara nga Ministria Federale e Drejtësisë Gjermane për Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Në Këto dokumente drejtori i kompanisë gjermane “Royal Cert” Muhammet Alpan Namli konstaton se certifikatat e “Beni Dona Plast” nuk janë të lëshuara nga kompania e tij dhe nuk e din se kush i ka lëshuar këto certifikata. Gjithashtu drejtori i kësaj kompanie thotë se vitin e kaluar konkretisht me datë 11.09.2020 është kontaktuar edhe nga një hetues i policisë së Kosovës dhe ia ka konfirmuar të njëjtën gjë.
Ai gjithashtu ka thënë se për këtë gjë e kanë kontaktuar edhe kompaninë “Beni Dona Plast” dhe kanë kërkuar nga ajo që t’i heq këto certifikata nga tregu se përndryshe do të ndërmarrin veprime ligjore.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Veçantë e Departamentit të Hetimeve i kishte marr këto dokumente dhe për këtë kishte mbajtur një takim në Zyrën e Sekretarit në Ministrinë e Mbrojtjes me 17 shtator të këtij viti.
Në një shkresë të Ministrisë së Brendshme dërguar Ministrisë së Mbrojtjes të protokolluar me datë 20 shtator të këtij viti, Policia e Kosovës konfirmon se është duke zhvilluar hetime me autorizimin e Prokurorisë Themelore për dyshimin e arsyeshëm të veprës penale: Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe Keqpërdorim i autoritetit dhe pozitës zyrtare. Hetuesi i policisë e kishte njoftuar në detaje Ministrinë e Mbrojtjes për gjetjet: “Ne ju informojmë se Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast SHPK” me rastin e dorëzimit të ofertës në aktivitetin e prokurimit me numër 217-18-2029-2-1-1 me titull: Shërbimet me ushqim (furnizimi, përgatitja dhe servimi: nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ka dorëzuar dokumente të falsifikuara ISO certifikata ISO 9001: 2015 dhe ISO 22000:2005, ku pas udhëzimeve të Prokurores së lëndës, Merrushe Llugiqi ne ju bashkëngjisim shkresat zyrtare të siguruara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Mirëpo, as pas tre muajsh që nga ajo kohë, Ministria e Mbrojtjes nuk ia ka ndërprerë kontratën kompanisë “Beni Dona Plast” ashtu siç edhe parashihet me ligjin e prokurimit publik dhe gjithashtu Prokuroria Themelore nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj personave përgjegjës të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast, ashtu siç parashihet me ligj.
Ndërkohë vetëm këtë vit janë arrestuar disa persona e pronarë kompanish të ndryshme të cilët kanë futur dokumente të falsifikuara nëpër aktivitete të ndryshme të prokurimit publik.
IndeksOnline muaj më parë i ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ta pyetur se deri ku kanë arritur hetimet dhe pse nuk po vepron prokuroria?
Ndërsa përgjigja tashmë e zakonshme e Prokurorisë Themelore është HETIMET VAZHDOJNË…