Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shpallur person non grata edhe nga Britania e Madhe
Berisha ka njoftuar se lajmi i ka ardhur nga autoritetet britanike të cilat kanë marrë vendim për moslejimin e hyrjes së tij në Mbretërinë e Bashkuar për disa arsye.
Sipas asaj që iu tha Berisha gazetarëve në Shqipëri, Britania ka thënë se ai ka lidhje me grupe të krimit të organizuar, se paraqet rrezik për sigurinë në Shqipëri dhe Britani e për korrupsion.
“Një, se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe dy, për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”, ka lexuar Berisha nga fleta që iu është dorëzuar.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë një vit më parë u shpall non grata edhe nga SHBA-ja. / TCH