Pushimet në këto javë të fundit të muajit gusht kanë përfunduar në tragjedi për tre persona. Dy burra nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kosova janë mbytur këtë ditë të diele në plazhet e Shqipërisë.
Sipas informacioneve të deritanishme, “TopChannel” ka njoftuar se personi i mbytur sot në plazhin e Velipojës është shtetas i Kosovës.
“Rreth orës 11:15, në plazhin e Velipojës, shtetasi H. H. rreth 59 vjeç, dyshohet se është mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.
Po ashtu, policia ka njoftuar edhe për vdekjen e dy turistëve nga Maqedonia e Veriut që dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në plazhin e Spillesë.
“Rreth orës 11:25, në plazhin e Spillesë, dy shtetas të gjinisë mashkullore ende të paidentifikuar,(dyshohet se janë shtetas Maqedonas), rreth 70 vjeç, dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.