[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

E pabesueshme por e vërtetë: Komuna maqedonase akuzon Kosovën se po ia helmon ajrin (FOTO)



Komuna Karposh e Shkupit e ka akuzuar Kosovën për ndotjen e ajrit para dy ditëve, që sipas matjes së institucionit kompetent të Ministrisë së Mjedisit të Maqedonisë ka qenë më e madhja në Evropë, e ndoshta edhe më gjerë – mbi 24 herë mbi ndotjen e lejuar sipas standardeve ekologjike ndërkombëtare, transmeton Gazeta Express.

Në komunikatën e komunës, që e botoi portali sdk.mk, thuhet se pas publikimit të të dhënave nga stacioni matës në Karposh për ndotjen enorme dhe praninë e 1.218 miligramë grimca PM10 (maksimumi i lejuar është 50 miligramë) të shtunën mbrëma “shumë qytetarë janë paraqitur për të kallëzuar ndotësit e mundshëm”.

“Sipas kallëzimeve dhe xhirimeve të banorëve të Karposhit, në periudhën e ndotjes më të madhe, nga vendet më të larta të Karposhit (te manastiri “Shën Pantelejmoni” është vërejtur një re duke lëvizur përgjatë rrjedhës së lumit Lepenc drejt Kerposhit”, thuhet në komunikatën e komunës, e cila po përqeshet në rrjetet sociale si absurde dhe shmangie nga përgjegjësia e pushtetit lokal.

Për ta forcuar pohimin për “helmimin nga Kosova”, Komuna në ueb-faqen e vet ka publikuar edhe një fotografi si “paraqitje grafike” që, sipas saj, provon se nga kanë ardhur grimcat PM. Gjithashtu përmend edhe se, “këto grimca helmuese vijnë nëpër rrugën e Kaçanikut” dhe se me siguri janë nus-produkt i “çimentores më e madhe në Kosovën fqinje, por edhe e kapaciteteve tjera më të vogla industriale për prodhimin e gjipsit dhe materialeve tjera ndërtimore”. Si kapak, në komunikatën, thuhet se “komuna pret nga shërbimet kompetente shtetërore (…) ta identifikojnë lokacionin e ndotësit më të madh dhe të reagojnë në mënyrë përkatëse të reagojnë për të penguar incidentet e këtilla”./Gazeta Express/

Kjo është fotografia e publikuar nga Komuna Karposh e Shkupit, me të cilën pretendon se provon se “Kosova po ia helmon ajrin”