Ndonëse kishte qenë vetëm fillimi i qeverisjes së Kurtit II, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, teksa kishte folur për krizën energjetike me të cilën përballej Kosova në dimrin e vitit 2021, kishte thënë se mbase shfrytëzimi i madh i energjisë elektrike po ndodh për shkak të ndërtimeve të reja, shfrytëzuesve të rinj dhe teknologjive të reja dhe mbase ky është edhe zhvillimi ekonomik, shkruan Gazeta Express.
“Njëri bllok i termocentralit Kosova B ka dalë jashtë funksionit dhe pa gjenerimin e këtij blloku kapacitetet tona energjetike janë të vogla. Kërkesa për rrymë është shumë e madhe sivjet se në vitet e kaluara. Kjo kërkesë mbase ka të bëjë me ndërtimet e reja, shfrytëzuesit e rinj, teknologjitë e reja, etj. Mbase ky është edhe zhvillim ekonomik”, kishte thënë Liburn Aliu më 24 dhjetor 2021.
Një rrëfim të njëjtë me ministrin Aliu për krizën aktuale që Kosova po e përjeton me energjinë elektrike e ka pasur edhe kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, i cili sot ka mbajtur një konferencë për media bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Evetari i cili është emëruar në këtë pozitë në vitin 2022, ka thënë se ngarkesa e madhe në rrjet po vjen edhe për shkak të zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit.
“Dua t’i sqarojë të gjithë se sistemi elektroenergjetik po përballet me ngarkesë të jashtëzakonshme për shkak të zhvillimit ekonomik që ka ndodhë në vitet e fundit, si rezultat i kërkesës për energji gjithnjë e në rritje”, ka thënë Zeqiri