Dy njerëzit më të afërt të presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë marrë një mision për ta kryer. kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Milovan Drecun dhe këshilltari për siguri i kryeministrit të Serbisë, Miroslav Bjegoviç kanë nisur një propagandë të re për Kosovën.
Ata të dy, kanë ngritur një alarm duke pretenduar se Kosova po përgatitet për aktivitete të inteligjencës drejt dhe përtej kufirit, duke aluduar kështu në përdorimin e dronëve në zonën kufitare të Serbisë.
krejt këto propaganda nisën pasi Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pronën e ish-aeroportit të Dumoshit në afërsi të Podujevës. Autoritetet në Prishtinë pohojnë se kjo është një pikë strategjike që do të rrisë mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
Siç shkruan Kurir i regjimit në Beograd, “baza e re e ushtrisë pranë vijës kufitare dhe planet e mëtejshme për vendosjen e forcave të armatosura shkaktojnë shqetësim të madh, pasi ato paraqesin një kërcënim shtesë për situatën tashmë të brishtë të sigurisë”.
Kjo ka bërë që të ndizen alarmet e propagandës në Serbi.
Kështu kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Milovan Drecun, ka ndërtuar një skenar se çka mund të ndodh më pas.
“Kjo bazë është domethënëse, sepse hap rrugën drejt veriut të Kosovës. Gjithashtu, është duke u ndërtuar një bazë në zonën e Llukarit, afër Prishtinës dhe është planifikuar një bazë e re vetëm 1000 metra nga kufiri. Qëllimi përfundimtar i Albin Kurtit është që të vendosen njësi të posaçme policore dhe ushtarake pranë kufirit” tha ai për RTS.
Ai gjithashtu propagandoi se dronët pa pilot “Bayraktar” mund të vendosen në aeroportin e Dumoshit për aktivitete të inteligjencës drejt dhe përtej kufirit.
Ndërsa këshilltari për siguri i kryeministrit të Serbisë, Miroslav Bjegoviç, thotë për Kurir se marrja e aeroportit të Dumoshit është një shembull klasik i llogaritjes së sigurisë që u zbatua nga pakti i NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë.
“Kjo na lejon të njohim rolin e mentorit. Në këtë rast u njoh interesi i afrimit të kufirit dhe veriun e Kosovës të një njësie të pajisur mirë të mbështetur nga helikopterët dhe dronët “Bayraktar”. I takon sistemit të sigurisë kombëtare serbe të vlerësojë nëse dhe kur këto njësi do të përdoren për qëllimin përfundimtar të Kurtit në veri të Kosovës, por edhe për të.