Dr. Faton Bislimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, dhe anëtar ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, është ftuar të marrë pjesë në ngjarjen kryesore vjetore kongresionale në Washington, DC, ku do nderohen senatorë e kongresistë nga partia republikane e ajo demokratike.
Këtë e ka bërë të njohur vet Bislimi në një postim në Facebook.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
Ftesa për pjesëmarrje në ngjarjen më të rëndësishme vjetore kongresionale “Statesmanship Awards Celebration” në Washington, DC, ku do të nderohen Senatorët Coons e Scott dhe Kongresistët Cheney e Clyburn (Republikanë e Demokratë) për rolin e tyre të veçantë në interes të publikut dhe shtetit amerikan përtej përkatësisë së tyre partiake.
Është pikërisht çasja “bi-partisan” apo “me të dyja taborret” partiake në Capitol Hill, pra puna me figura kyçe Republikane e Demokrate, që i ka sjellë Kosovës në veçanti e shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi, miqësinë unike me, dhe përkrahjen nga, SHBA-të. Kjo punë e angazhim i parezervë është bërë e po bëhet në vazhdimësi për më shumë se tri dekada nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), organizata jonë e vetme lobuese në DC.
Do vazhdoj që me përkushtim të bëj punën time për të sforcuar marrëdhënjet tona me Amerikën, me miqët tanë në Capitol Hill. Angazhimi me punë në Washington përmes lobit tonë në SHBA, respektivisht, Liges Qytetare, vazhdon të jetë krenaria e veprimtarisë sime tash e dy dekada rresht!
Pa Washingtonin, Kosova s’mundet as ta përmbyllë procesin e dialogut e as ta sigurojë vendin që i takon në arenën globale të vendeve të lira!