Kur në fundjanarin e këtij viti, autori Jusuf Buxhovi, m’i dhuroi dy librat e tij të fundit, romanet Dosja B dhe Mona, i kam pranur me një ndjesi krejt ndryshe nga ato që i kisha përjetuar në Prishtinë, kur pas çdo botimit të KOSOVËS (Historiografi), shkrimtari, historiani, veprimtari e intelektuali Jusuf Buxhovi, me plot respekt e përkujdesje miqësore m’i dhuronte për “vetëm një kafe mëngjesi!”
Në Prishtinë kisha kohë, mundësi dhe “luks” të mjaftueshëm për t’i lexuar veprat dhe studimet e Jusuf Buxhovit.
Në Nju Jork, në atë fund janari kisha “frikën” se do të më mungonte koha, mundëisa e aq më pak “luksi” për të lexuar rrëfimin dhe dëshminë e Prokuririt të ri gjerman që kishte ardhë në Kosovë me mision për të hetuar rastin si të shënjuar si më të rëndësishëm të EULEX-it:
– Hetimin e vrasjes se Lekë Sh…një veprimtar patriot i cili që në vitet 90-ta i ishte bashkuar Lëvizjes për Liri e Demokraci (LDK-së e Presidentit Rugova) e që gjatë luftës përfundon me një plumb në ballë në një “burg të imporvizuar” në një nga “zonat e kontrolluara nga komandantët e vetëshpallur të UÇK-së, (Dosja B)
– Apo apokalipsën e Kolonelit të disa luftërave në ish-Jugosllavi, të rezistencës së tij deri në vetizolim deri në vrasje me një plumb në ballë (vrasja me plumb në ballë si akt terririst i përbashkët për Lekë Sh…te Dosja B dhe Kolonelin te Mona) si dhe poshtërimin publik post mortum të Kolonelit e të trajtimit psikiatrik deri në çmenduri të Verës, vajzës shqiptare e cila para lufte kishte punuar në një mision ndërkombëtar e gjatë dhe pas luftës kishte përjetuar çnjerëzimin dhe pesketuimin mizor nga “tuxharët e lirisë” që veten e quanin “çlirimtar”. (Mona).
Por, edhe në Nju Jork, erdhi koha për Dosjen B dhe për Monën.
Dosja B, apo dosja e krimeve të “kmerëve të kuq” komunistë në Shqipëri e në Kosovë prej Luftës së II botërore e deri në ditët e sotme
Romani Dosja B, lajtmotiv të vetin ka hetimin e vrasjes së Lekë Sh…një patrioti shqiptar me prejardhje nga Shkodra, i cili ishte detyruar të largohej nga Shqipëria me instalimin regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, dhe që në vitet 90-ta ishte bashkuar me Lëvizjen e shqiptarëve për Liri, Demokraci e pavarësi, të strukturuar nën siglën e LDK-së e të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, por që kishte kundërshtuar deri në pushkatim ideologjinë e të ashtuquajturëve “çlirimtarë” që grushtin e kishin simbol të pëshendetjes dhe mision kishin vrasjet e likuidimet e patriotëve kombëtarë me bindje politike kundër të “kmerëve të kuq” komunistë.
Në fakt hetimi i vrasjes së Lekë Sh… është vetëm një lajtmotiv për thurjen e romanit Dosaj B. Në hetimet e prokurorit të ri gjerman i punësuar në EULEX, hetime këto që i paraprinin edhe “Udhëzimet për hulumtime” që i vinin në email nga një adresë anonime, e që në fakt ishin udhëzime nga babai i prokurit të ri gjerman, i cili para luftë kishte qenë pjesë e Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, dalin edhe plot e plot dosje të tjera, dëshmi, rrëfime sa të tmerrshme e të pabesueshme aq edhe të dokumentuara, në të shumtën e rasteve me data, vende e dosje të shërbime sekrete të NATO-s e BND-së gjermane.
Jusuf Buxhovi shkrimtar dhe Jusuf Buxhovi historian
Romani Dosja B në strukturë ka rrëfimin në vetën e parë të prokurorit të ri gjerman, të plotësuar me letra e udhëzime nga adresa “anonime” e ditare të atyre që para e sidomos gjatë e pas luftës kishin përjetuar kalvaret e dhunës e persekutimit nga “tuxharët e lirisë” nga “komandantët e hoteleve të Tiranës” që veten e quanin “komandantë të Shtabit të UÇK-së”, që bënin kërdinë në terrene e “territore të lira” të Kosovës së kohës së luftës, nga mafia politike e despotët e plotëfuqishëm e uzurpatorët e lirisë e të pushtetit në sytë dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve në Kosovën e pasluftës.
Prandaj Dosja B nuk është vetëm dosje për hetimin e vrasjes së Lekë Sh…
Dosja B është dosja më faktike e pasqyrimit të realitetit të zymtë, e pasqyrës së thyer shqiptare, e pamjes së zymtë e të përgjakur të golgotës së shqiptarëve që idealin e lirisë e kishin të brumosur në zemër e luftën kundër ideologjisë së kuqe komuniste e kishin qëllim dhe synim kombëtar.
Fatkeqësisht, ashtu siç e ka dëshmuar historia e rrugëtimit të Shqipërisë e Kosovës prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, pazaret gjatë luftës antifashiste mes Perëndimit e Lindjes, dhe krijimi i partneritet me të majtët (komunistët) përveç se i janë shkaktuara dëme të pariparueshme të qenies dhe të çështjes shqiptare në Ballkan, kanë rezoltuar me fatkeqësi, vrasje e persekutim të të djathtës shqiptare, (Ballit Kombëtar, Legalitetit e NDSH-istëve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore) dhe të intelektualëve shqiptarë të Kosovës të cilët gjatë okupimit serb kishin arritur të mbajnë gjallë trungun etnik dhe të krijojnë e të vënë në funksion shtetin paralel, me shtyllat kryesore të funksionimit, si arsimi, shëndetësia po edhe vetëmbrojtja etj.
Dosja B e dëshmon gjithë këtë golgotë për dekada të shqiptarëve.
Dosja B nuk është vetëm një roman letrar, që thuret përmes llojeve artistike siç janë rrëfimi në vetën e parë, ditaret, intermexot artistike siç janë: thashetheme nga Facebook-u etj (stile artistike të sprovuar nga shkrimtarë botërorë e veçanarisht në romanet e fundit nga Ismail Kadare)…
Dosja B është edhe një dëshmi e disa dekadave të rrugëtimit historik të shqiptarëve.
Prandaj në romanin Dosja B, rrijnë bashkë si është më së miri edhe Jusuf Buxhovi shkrimtar edhe Jusuf Buxhovi historian.
Dy fjalë për syzheun e romanit Dosja B
Një prokuror i ri gjerman aplikon për një vend pune në misionin e EULEX-it në Kosovë. Punësimit të tij në EULEX i kishte ndihmuar edhe prejardhja e tij familjare apo lidhjet e dyanshme shqiptare e serbe përmes gjysheve: gjyshja nga ana e babit kishte prejardhje shqiptare nga Shkodra, një ish-Mis Europa-, ndërkaq gjyshja nga ana e nënës kishte prejardhje serbe, ish-aktore e Teatrit serb nga Beogradi.
Kur prokurori i ri gjerman kishte ftuar për drekë babain e tij, poashtu një ish-vëzhgues ndërkombëtar në kuadër të misionit të OSBE-së para luftës në Kosovë, për t’i treguar se po shkonte në Kosovë në kuadër të një misioni hetues të EULEX-it, ai në shenjë përkrahje, ishte përballur me një heshtje deri në përbuzje nga babai i tij.
Madje në fund të ë darkës së ftuar në shtëpi të prokurit të ri gjerman, ai (babai) në largim e sipër i kishte dhënë një marrje ngryk jo të zakonshme dhe që më pas do të “zhdukej” fare për disa ditë rresht.
“Takimi” me babain do të ndodhë pëmres një emaili nga një adresë anonime, me njoftimin se “…ishte dhënë në një udhëtim që mbase nuk do të përfundonte kurrë..” në attachment i kishte përcjellë edhe shkrimin “Koha e vdekjes” me paralajmërimin se “rrëfimi vazhdon”. (Dojsa B, roman, Jusuf Buxhovi – Prishtinë: Faik Konica 2016, fq 23).
Prokurori gjerman do të mbërrijë në Prishtinë, do të lajmërohet në misionin e EULEX-it dhe që në ditën e parë do t’i dorëzohet në tavolinë një “dosje të trashë” për hetim. Këtu edhe fillon e gjithë thurja e suzheut të romanit Dosja B: hetimi i vrasjes së Lekë Sh… që do të jetë vetëm një fije në lëmshin e madh të vrasjeve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjatë hetimit të tij, prokurori i ri gjerman do të “furnizohet” me materiale nga adresa anonime: [email protected], nga dojset e shërbime sekrete të NATOS, BND e MAD, shkrime në gazetat gjermane Der Spiegel, Die Welt, Le Mond, Gardian, The New York Times etj.
Por gjatë hetimit të tij, ai do të përballet edhe me Ditarin Rojës së burgut, dëshminë dhe intervistën e Vrasësit të penduar, historinë dhe ditarin e gazetarit të “Rilindjes”, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Ditarin e Dushkajës së Dritës, bashkëshortes së Besim L… (prolog i rrëfimit të Verës së çmendur në romanin Mona), intervista e Dardanës dhënë reporterit të BBC-së, letrën e Lekë Sh.. të cilën prokurori e merr nga djali i tij në Londër, Prizren Sh.. dëshmi të tjera nga Facebooku, siç janë: Si i arrestoi “Gjarpri” aktivistët e LDK-së në Drenicë, intervista e shefit të Zyrës së OSBE-së, Shën Berns me dy aktivistët e arrestuar të LDK-së gjatë luftës J e C e dëshmi të tjera për vrasjet gjatë e pas luftës nga ata që veten e quanin “çlirimtarë”.
Romani përundon me dorëheqjen e prokurorit të ri gjerman nga misioni i EULEX-it, i dëshpëruar nga vrasja e Rojës së burgut në Gjermani dhe me porosinë se “…rasti B jo vetëm që nuk ka përfunduar, por sapo fillon, meqë ashtu mbroj edhe familjen time nga vrasësit e përsëritshëm” (Po aty, fq 410).
Ngjashmëritë e personazhëve me realitetin janë të qëllimshme dhe të njohur për opinionin
Autori Jusuf Buxhovi, që në fillim të romanit të tij bën shënimin me konotacion artistik se “Ngajshmëritë e mundshme të personazhëve me realittin janë të rastësishme”, por kur e lexon deri në fund romanin Dosja B, bindesh se në fakt ngjashmëritë e perosnazheve me realitetin janë të qëllimshme, janë të njohur për opinionin.
Prandaj sa do që personazhet Lekë Sh,,, Roja i burgut, i vrarë pas dëshmisë së tij në EULEX në një qendër “strehimi” në Gjermani e i shpallur si “i vetëvrarë”, Vrasësi i penduar-ish-agjenti i SHIK-ut që doli publikisht dhe pranoi se kishte vrarë dhe kishte marrë pjesë në mbi 30 akte të vrasjeve e kërcënimeve pas luftës në Kosovë, Gazetari i “Rilindjes” i zhdukur diku në Drenicë, kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK-së, i larguar nga LDK në Kuvendin e III të LDK-së me arsyetimin se “nuk ka kuptim me ba politikë paqësore”, “Gjarpri”, të ndaluarit nga UÇK-ja dhe të mbajturit në burgun e Sedlarit, aktivistët e LDK-së J e C e anëtarë të “Shtabit të UÇK-së” nga hotelet e Tiranës e personazhe të tjerë janë “mistifikuar” me emërtime anonime letrare, çdo shqiptar i Kosovës që gjatë luftës ka qenë i moshës mbi 20 vjeçe dhe që në Kosovën e luftës ka parë televizor ose ka lexuar ndonjë gazetë, këto personazhe i njeh, i njeh me emër e mbiemër, me pamje dhe me identitet.
I njoh edhe unë si gazetar që kam punuar para, gjatë e pasluftës në Kosovë.
Duke respektuar parimin letrar e artistik të Jusuf Buxhovit, dhe duke qenë i bindur se tashmë të gjithë këto personazhe të Dosjes B janë të njohur, nuk po i përmend me emra.
Krejt çka mund të them është fakti se ” Ngjashmëritë e personazhëve me realitetin janë të qëllimshme dhe të njohur për opinionin”.
Romani Dosja B është një vepër letrare e një dëshmi e një pjesë të përgjakshme të historisë shqiptare.
Kush dëshiron të pasurojë opusin e vet letrar, është mirë ta lexojë Dosjen B.
Kush dëshiron të freskojë memorien e tij me dëshmi e fakte historike për shqiptarët në të dy anët e kufirit është mirë ta mësojë historinë nga Dosja B.
Kush është ende “në ëndërr” nga shpërlarja e trurit me demagogji e veprime kriminale të të majtës komuniste shqiptare, është mirë të zgjohet zhgëndërr dhe të shfletojë Dosjen B.
Kush janë klasa “…kriminale, shumë prej tyre barinj dhe injorantë të pasuruar brenda natës, milionerë që kapërdisen nëpër haremet e metropoleve botërore, të cilët qëndronjë mbi ligjin” (Mona, Jusuf Buxhovi, Faik Konica – Prishtinë, 2020, fq 2006) është mirë t’i lexojnë Dosjen B dhe Monën e Jusuf Buxhovit.
Si janë arrestuar, si janë vrarë e ekzekutuar, si janë shantazhuar e persekutuar për së gjali e për së vdekuri, individë, familjarë të djathtës shqiptare, ballistë, legalistë NDSH-stë, e aktivistë e zyrtarë të lartë të Lëvizjes kombëtare për Liri, Demokraci e Pavarësi të organizuar në kuadër të LDK-së dhe të frymëzuar nga filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, nëse nuk i dijnë këto fakte, është mirë të “trokasin” në libraritë anembanë Kosovës, Shqipërisë deri në Amerikë e t’i kërkojnë romanet Dosja B e Mona të Jusuf Buxhovit.
Së shpejti kjo trilologji përmbyllet edhe me Rrushen.
Faleminderit Jusuf Buxhovi!