Kur jashtë retë si një dallgë e madhe fillojnë të mbulojnë dritën, ngre krye frika jonë ndaj vetes. Pyetjet që i mohojmë ti bëjmë në kthjelltësi të qiellit sapo fillon të ngryset dhe retë tërbueshëm të lëvizin, fillojmë monologun e heshtur me veten. Sa mirë që nuk jam ajo gruaja e kronikës, e qëlluar tridhjetë e një herë me thikë. Do të kisha lënë edhe dy fëmijë të mitur pa mbështetje, vetëm. Pa menduar sesa në faj do isha ndjerë nga përtej jeta, për babain që ju dhurova atyre dy krijesave të pafajshme.
Oh gra të gjora, më mundon kaq shumë ky mendim shkarazi se çfarë babai do ti kisha dhënë fëmijëve të mi jetim, apo edhe më keq asaj krijese të vogël që nga ai u vra barbarisht, me tridhjetëenjë godidje. A nuk të mjaftoj një goditje për të mos e dashur këtë krijesë që të dy në një natë pasioni e ngjizëm nga dashuria ? A quhet dashuri edhe të bërit seks përgjatë një martese?! A vdes ajo ndjenjë e brishtë dashurie që nga epshet ditore shfryhet në një krevat martesor?!
Trishtim vjen e zbret në këto mendime torturuese që më bëjnë të pafuqishme për të ulëritur këtë çmenduri që vret, që shkatërron çdo gjë në fare pak minuta. Sa pesha faji mbajmë ne si qënië, si një grua, më pas si një nënë?!
Pesha e fajit bie edhe mbi mua nga përtej jeta :- mendoj sikur të isha AJO…
-Isha një grua e fortë nga ajo thikë dreqi ta hajë duhet të mbinin vetëm lule. Kur nga pleqëria të thyhesha, e lumtur të mbërtheja dorën e bashkëshortit tim dhe të dy të shëtisnim parqeve të Tiranës, Durrësit, Fierit…të shëtisnim anembanë Shqipërisë.
Oh Zot ! Si unë, një qënie e shurdhët dhe e verbër nga shpresa për ditë më të mira, për të mos qënë shkak i asnjë vuajtje, u bëra gjithsesi një shkak, i vrasjes, i vuajtjes që tanimë i pret me largimin tim, të gjorët, fëmijët e mi. Përballë tyre u rrëzova e përgjakur, nuk po zgjatesha dot për ti rrokur në përqafimin tim të fundit. Jo, jo nuk duhet ta kishit parë këtë skenë, nuk e meritoni të shihni dhunë aq më e rëndë kur ky përbindshëm është gjaku juaj. Më falni, a nuk e dëgjoni dëshpërimin tim si thërret nga përtej jeta, zëri im thërret për mëshirë…nxirre zemërimin, nxirre vrerin, me gjakun tim pije gostinë e dashurisë, mbase një ditë do të bëjë më njerëzorë, për ti kërkuar falje fëmijëve të tu që j’ua more fëmijërinë e hershme, ja vrave nënën, vrave një njeri ! Çmendem kur e mendoj se sa shumë kam heshtur, në vend t’ju zgjidhja babain e përrallave fëmijëve të mi, ju zgjodha për baba përbindshin e përrallave.
….
Retë mbi mua shkojnë e vijnë furishëm edhe kam ndjesin se në çdo plagë të asaj vrasje rrjedh prej gjakut të saj UNË, AJO, ATA, çdo grua shqiptare që në përditshmërinë e saj, vetësakrifikohet me heshtjen për vite me rradhë, aq sa në një mëngjes Marsi pranveror përfundojnë të masakruara.
Sot një burrë vrau në mënyrë barbare nënën e fëmijëve të tij së bashku me foshnjen që ajo mbante në barkun e saj. Sa bukur mbulohet e vërteta, marrëdhëniet njerëyore e veçanërisht familjare i lustrojmë çdo ditë me sjellje që të bëhen të pëlqyeshme, që të duken si normale dhe perfekte, ndërkohë mjafton një zënkë momentale që i gjithë vreri i ligë i një qënië të shpërthejë në një dorë që godet, në një thikë që ngulet fuqishëm në trupin e një tjetër njeriu.
E vërteta e secilit prej nesh mizorisht kamuflohet, edhe vëtëm në situate të tilla dramatike që bëhen publike ne kuptojmë që jemi të vetmuar përballë të vërtetës sonë. Jemi të vetmuar pasi vetëm ne e njohim atë të vërtetë fjalësh, ndjesish, ngjarjesh që na lëndon dhe nuk flasim, sepse nuk duam të përkeqësohet situate familjare, heshtim sepse shpresa mban të gjallë edhe atë fijëz sado të hollë të dashurisë që pretendojm se ka fuqinë të bëjë ndryshimin.
Frikësohemi se dikush do të na zbulojë sesa keq i ndërtojmë marrëdhëniet familjare, sesa të gatëshëm jemi po vetë ne për ta fshehur çdo dhimbje apo fyerje me nënqeshjen e rradhës për të ruajtur me fanatizëm heshtjen ndaj së vërtetës. E vërteta nuk është vetëm pasqyrimi i ngjarjes në fund, por i gjithë proçesi i jetës i së përditshmes, kur pjata e gjellës përplaset në dysheme, fjalët nënçmuese, fyese, dhuna verbal, marrëdhënia me fëmijët, përkushtimi ndaj tyre dhe shumë detaje të tjera të jetës që secili nga ne jeton çdo ditë.
E dashur grua që si unë u ndjeve e qëlluar në cdo pjesë të trupit, edhe në shpirt, e pafuqishme për të reaguar dhe me shpresën e përmisimit që kurrë nuk vjen, ashtu një jetë duke pritur të përmisohen gjërat edhe me shpresën se fëmijët e tu një ditë do të kenë harmonin e familjes. Kjo shpresë vritet
dhe gjithcka shkatërrohet fare shpejt, në moshën e vrullit të jetës, zbulohet shëmtuar një familje që kurrë nuk qe e tillë.
Mendoj sikur të isha AJO…
-Nëse do të kisha një familje, tani unë do të isha në jetë dhe do kujdesesha ende për fëmijët e mi, por realitet me janë ngatërruar dhe unë po dergjem në pellgun e gjakut, me lotë të padukshëm po e pastroj fytyrën, dua të shoh të vërtetën, atë që si UNË edhe JU duhet ta shihni në kohë…