Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.
Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, zoti Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.
“Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij.
Ai u zotua të “rregullojë kufijtë tanë” dhe “të rregullojë gjithçka në vendin tonë”.
Trump tha gjithashtu se do të punojë për një “Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.
Ai garoi me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht Nënpresidente, e cila deri tani siguroi 224 vota elektorale.
Zoti Trump është ish-Presidenti i parë që nga Grover Cleveland që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi humbi një palë zgjedhje pas mandatit të parë.
Zoti Trump i cili shërbeu si President në periudhën 2017-2021, u largua nga posti pasi humbi përballë Presidentit aktual Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 për të cilat vazhdoi të pohonte në mënyrë të rreme se i kishte fituar. Ky mohim ndihmoi në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij, të cilët ndërprenë numërimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve.
Zoti Trump dhe aleatët e tij gjithashtu nisën sfida të shumta ligjore pas votimeve të vitit 2020. Gjykatësit shtetërorë dhe federalë përfundimisht hodhën poshtë më shumë se 50 padi.
Që kur u largua nga posti, ish Presidenti Trump u dënua për 34 akuza të lidhura me pagesat që i bëri një aktoreje të filmave për të rritur në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Shpallja e dënimit është caktuar për 26 nëntor. Zoti Trump u padit gjithashtu në tre raste të tjera, duke përfshirë dy nën akuzat për përpjekje për të përmbysur në mënyrë të paligjshme zgjedhjet e vitit 2020 dhe një tjetër që pretendon se mori qindra dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Florida.
Donald Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar të vitit 2025.