[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Doganat e Kosovës bëhen me drejtor të ri, ai është Bahri Berisha



Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Republikës së Kosovës emërohet Bahri Berisha

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Isa Mustafa, pas rekomandimit të Ministrit të Financave z. Avdullah Hoti,  me vendimin Nr.013/17 ka emëruar Drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës z. Bahri Berisha.

Ministria e Financave më datë 15.11.2016 në përputhje me nenin 5, paragrafi 4, të Kodit Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës, ka shpallur konkurs për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës, i cili ka qenë i hapur deri më datë 29.11.2016 (nr. i Konkursit 01/2016 DK-MF).

Me datë 06.12.2016 ministri i Financave Avdullah Hoti ka emëruar Komisionin  për shqyrtimin e aplikacioneve dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Janë pranuar 22 aplikacione bazuar në procesin e datës 02.12.2016, nga të cilët 12 janë ftuar në intervistë me gojë.

Në të gjitha fazat e konkursit, Komisioni ka punuar së bashku me partnerin implementues të caktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar  më 15.08.2016 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Komisioni në dakordim të plotë me partnerin implementues, më datë 18.01.2016 ka dhënë Rekomandimin për kandidatët më të suksesshëm që i plotësojnë kriteret për tu zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës ushtron këtë funksion nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e mandatit pas tri viteve, me mundësi të vazhdimit të mandatit.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës ushtron funksionin në pajtim me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.