Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në kohën kur Ballkani Përendimorë po integrohet më tej përmes nismave si Procesi i Berlinit, Open Ballkans, Kurti po i kthehet mentalitetit të izolimit të Kosovës, pikërisht ku dështoi të shtyheshin zgjedhjet lokale të tetorit, shkruan Gazeta Botapress.
Kurti sot, pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel ka thënë se duhet të bëhet presion mbi Serbinë pasi po i bënë probleme Kosovës.
“Ju kam shkruar letër të gjitha qeverive evropiane ku kam renditur 11 shkeljet që po i bënë Serbia me barriera sistematike dhe periodike. Unë po pres ndryshe dhe reciprociteti do të vendoset, nuk bën ndryshe . S’ka barazi pa reciprocitet”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Kosova në vitin 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, ndërsa qeveria Kurti 1, e zëvendësoi atë me reciprocitet, ku u përfshin një sërë masash tregtare. Qeveria pasuese e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin, që u mbështet edhe nga BE’ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kujtojmë, që Kurti gjatë muajit gusht kishte deklaruar se për reciprocitetin ka biseduar edhe gjatë takimeve që ka pasur në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Në këto 100 ditët e para (të qeverisjes) ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Kosova dëshiron që reciprociteti i plotë me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më.
“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më”, tha kryeministri.
Në anën tjetër Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu pa paralajmërim ka shkuar në Beograd ku po merrë po merr pjesë në Samitin e Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021. Me këto vepra të qeverisë Kurti nuk po vërehet vendosje e reciprocitetit.
Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka qenë shumë i ashpër me Kurtin. Rama sërish ka mbrojtur nismën “Open Balkan”, marrëveshje e arritur mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e kritikuar Kosovën që nuk po bëhet pjesë e saj.
Në një konferencë të përbashkët në Tiranë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel Rama ka thënë se Procesi i Berlinit dhe “Open Ballkan” nuk janë në kontradikta mes vete.
Sipas Ramës, Kosova po bën teori konspiracioni për “Open Ballkan”.
“Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Faktikisht procesi i dakordimit mes 6 vendeve është një proces i ngatërruar. Ajo që keni parë në të shkuarën është se shpesh herë një vend apo një tjetër bëhen shkak që të gjithë të ngecin, prandaj Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njëri absolutisht, por për të mos u varur nga vetë dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, por për të ecur përpara gjithmonë duke pasur parasysh gjithë procesin e Berlinit…
Një nga pengesat për të ecur më shpejt ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin sepse nëse ne fusim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do ishte e garantuar dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten, por rri dhe bënë teori konspiracioni për Open Ballkan. Traseja është e shtruar, procesi i Berlinit është një proces që do të vazhdojë. Open Ballkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë në mes dyjave”, u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare i cili e ka iniciuar edhe “Open Ballkan” tha se brenda këtij procesi nuk ka asgjë kontradiktore me Procesin e Berlinit./Botapress/