“Djali më tha se të gjithë ishin në gjumë”, flet babai i njërit prej të mbijetuarve

Babai i Lulzim Sulejmanit i mbijetuar i aksidentit tragjik ku humbën jetën 45 persona, shumica shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ka folur për gjendjen e të birit dhe të fejuarës së tij.

Ali Sylejmani ka thënë se gjendja e djalit të tij Lulëzimit është e mirë, ndërsa e fejuara e tij është duke u operuar. “Jam te djali, jam pranë tij. Ka disa lëndime trupore të lehta kurse nusja është në sallë të operacionit sepse ka një krisje në gju. Jam ka e pres me ardhë prej sallës së operacionit. Nuk po di tjetër çka me thënë.”, tha ai.

Aliu tregon ngjarjen siç ia ka rrëfyer djali i tij. Ai tha se Lulzimit i kujtohet mirë se si ka ndodhur ngjarja.

“Shumë mirë i kujtohet djali. Ishte ore 2 e 10 ose 15 aty ka marrë flakën. I ka mshu anës së djathët mandej ka plas goma e menjëherë pas saj është ni një detonim i fortë e ka marrë flakë autobusi. Për dy tre minuta ka hi tym i zi në autobus” tregon Aliu, atë çka i ka thënë i biri i mbijetuar.

Ai është shprehur se djali I tij ka qenë në karrigen e fundit.

“Tha e kam thy xhamin edhe kam ra poshtë, pastaj edhe nusja edhe ata dy ose tre tjerët. Krejt kanë qenë në gjumë. As nuk kanë mujt me lëviz. Unë tha për fat të mirë isha zgjut dhe reagova shpejt. Pikërisht ashtu në anën e djathtë ka filluar zjarri. Kanë pasur ngulfatje”, është shprehur ai./Botapress.info/

ngjashme