Emërimi i Andin Hotit, të birit të intelektualit të shquar Ukshin Hoti, që është edhe simboli i të zhdukurve nga makineria e Sllobodan Milosheviçit, ka krijuar që tani efektin e vet.
Edhe pse negociatat në Bruksel realisht shkuan për dreq, me një fjalë nuk prodhuan asnjë përparim, mediat e Beogradit kanë nisur të bëjnë që tani CV-në e personit që qeveria e Kosovës ka caktuar në krye të komisionit për të pagjeturit.
Është bërë lajm menjëherë, çka ka çakërdisur realisht si Vuçiçin edhe qarqet pranë tij, të cilët kanë nxjerrë historianët me primitivë serbë që kanë rinxjerrë nga arkivat tezat se shqiptarët kanë ardhur në Kosovë në 1680-n, e krimet që kanë bërë forcat serbe, i kanë kryer për të ripopulluar trojet e tyre.
Por edhe pse mjaft nga tabloidët e Beogradit po nxijnë ekranet me marrinat e historianëve të fantaksur, gjithsesi në mediat më serioze, po trajtohet pikërisht lëvizja e Albin Kurtit në emërimin e Andin Hotit.
I biri i Ukshin Hotit, nuk është një person që ka milituar në lëvizjen Vetëvendosje, madje për dy legjislatura ka qenë edhe deputet i PDK-së së Hashim Thaçit, por simbolika e tij është mjaft e gjetur. Pasi ai ka mundësinë e moralin që të udhëheqë një betejë të rëndësishme, të madhe, e jo në arkivat e mesjetës apo katakombeve të objekteve fetare, por në zyrat e Beogradit. Për të kërkuar se ku është trupi i babait të tij dhe i 1653 personave të tjerë të pagjetur. E për këtë çështje, Aleksandër Vuçiçi nuk ka sesi të shmanget, nuk ka sesi të bëjë ironitë e tij pa kripë, po thjesht do të duhet ose të impenjohet me anë të dokumenteve që disponon të gjejë trupat e të zhdukurve ose të refuzojë. Nëse bën të dytë, atëherë ai e ka të humbur çdo dava në shahun e nisur me Albin Kurtin. Nëse bën të parën, mund të humbë politikisht, por fiton si njeri, e në fakt, fitojnë të dy vendet por edhe i gjithë rajoni. Pasi krijohet mundësia për të nisur një jetë të re, duke varrosur ata që janë zhdukur pa nam e nishan.
“Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë, është Qeveria e Serbisë, prandaj edhe adresa e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje është po e njejta.
Refuzimi për zgjidhjen e fatit të përsonave të zhdukur me forcë në luftën në Kosovë, nënkupton edhe një krim tjetër që bëhet edhe sot, 22 vjet pas luftës, atë HUMAN”, shkruan Andin Hoti, në një deklaratë pas emërimit të tij në postin e kreut të komisionit të të pagjeturve nga kryeministri Albin Kurti.
Ndërsa Vuçiç, ka në këtë pozicion, Veljko Odaloviqin, ish-kreun e aparatit të Millosheviçit në Kosovë, pas suprimimit të autonomisë.
Mendoni pak përballjen live në Bruksel mes Andinit dhe Odaloviqit; që nuk është as më pak e as më shumë por një duel biblik. Një përsëritje e skenave të postholokaustit, ku superioriteti moral ka edhe fuqinë e argumentit dhe logjikën njerëzore.
Vetë zëra të rëndësishëm nga Beogradi kanë kërkuar largimin e Odaloviqit, duke përkrahur qëndrimin e Albin Kurtit, shkruan Pamfleti. Dejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka përkrahur kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të largohet kryetari i Komisionit për të pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq.
“Veljko Odaloviq nuk ka kredibilitet moral ta udhëheq Komisionin për Personat e Pagjetur. Ai është kuadër i SPS (Partisë Socialiste Serbe) për pozitat që i takojnë asaj partie – prandaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kuvend… familjet e viktimave duhet të propozojnë për kryetar të Komisionit një personalitet që nuk është i komprometuar me nacionalizëm”, deklaroi pak kohë më parë Kandiq./Botapress/