[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Djali i mjekut të zhdukur dedikim prekës per babain e tij (VIDEO)



Djali i mjekut të zhdukur nga lufta Dr.Hafir Shala, Gentrit Shala – në ditëlindjen e babait të tij, ka shfrytëzuar llogarinë në Facebook për të postuar disa fragmente nga jeta dhe veprimtaria e tij, njofton Klan Kosova.

Biografi e shkurtër e Dr. Hafir Shalës

Dr. Hafir Shala u lind më 05.02.1960 në fshatin Krajkovë, komuna Drenas (ish Gllogoci). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Drenas (ish Gllogoc). Studimet e larta i vazhdoi në Kroaci, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, ku edhe doktorroi. Rrjedhë nga një familje atdhetare, që u shqua me një kontribut të madh për çështjen kombëtare. Duke u rritur në një familje të tillë, sigurisht që edhe jeta e doktorit do ishte kontribut për këtë vend.

Pas daljes nga burgu, Doktori i përfundoi studimet dhe u kthye në vendlindje ku vazhdoi kontributin e tij si mjek, por edhe në çështjen kombëtare, Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK). Në aspektin shëndetësor, Dr. Hafiri punoi në degën e Shtëpisë së Shëndetit të Drenasit (Gllogocit) në fshatin Baincë dhe Nekovc. Ai hapi Qendrat e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në fshatin e tij në Krajkovë, Çikatovë e re dhe Komoran, të cilat ishin të parat qendra mjekësore në fshatrat e Drenasit, që vepronin në mënyrë ilegale shkaku i masave të rrepta nga autoritetet serbe.

Në qendrën e Krajkovës mbahej ilegalisht edhe salla e operacioneve (e cila pas arrestimit në Dr. Hafirit nga autoritetet serbe, u transferua në fshatin Likoc, ku u përdorë për mjekimin e ushtarëve të UÇK-së), ku në këtë qendër kërkonin ndihmë të sëmurët pothuajse nga e tërë Kosova, prej fshatrave të Rahovecit, Malishevës, Lipjanit, dhe tërë Drenicës, ku si pasojë e rrezikut në udhëkryqin famëkeq të Komoranit ishte e pamundur lëvizja e lirë e qytetarëve për në Prishtinë, dhe qendrat e mjekësisë të hapura nga Doktori shfrytëzoheshin dhe ishin vendet ku mjekoheshin të sëmurët nga vendet e përmendura më lartë.

Zakonisht qëndronte deri në orët e vona duke kontribuar për nevojtarët në fshatrat e Drenicës, dhe përkushtimi i tij ndaj familjes ishte pothuajse i pamundur, koha dhe jeta e tij ishin në përkushtim të nevojtarëve të vendit të tij. Ai mori pjesë në pajtimin e gjaqeve në tërë territorin e Kosovës, së bashku me Anton Çetën, ku për herë të parë në Kosovë u bë pajtimi i gjaqeve më 31.01.1990 në fshatin e tij (në Krajkovë). Ky ishte edhe rasti i parë i faljes së gjaqeve në Kosovë, njëherit edhe më i vështiri pasi që për herë të parë organizohej dicka e tillë në Kosovë, ku familja e Doktorit fali gjakun e axhës së tij të vrarë në atë kohë. Ai ishte njëri nga mjekët që kontribuoi më së shumti në fshatrat e Drenicës.

Ishte mjeku i vetëm në masakrën e Likoshanit në fillimin e luftës në Kosovë më 28 Shkurt 1998, ku për më shumë se shtatë ditë dhe shtatë netë ishte pranë të plagosurve dhe të sëmurëve në këtë vend, ku i mjekoi të gjithë civilët e plagosur. Pastaj ishte edhe mjeku i parë në masakrën e familjes Jashari me 6, 7 dhe 8 Mars 1998, ku për ditë të tëra gjatë luftimeve të kësaj familje, Doktori mjekoi anëtarët e familjes, dhe kontribuoi në mbrojtjen e kësaj familje.
Doktor Hafiri kaloi një periudhë të gjatë në burgjet famëkeqe të Serbisë shkaku i veprimtarisë së tij për
clirimin e Kosovës. Ai ishte një ndër themeluesit e parë të grupit të Kroacisë (që përbëhej kryesisht nga studentët shqiptar që studionin në Kroaci), së bashku me komandantin Fehmi Lladrovci. Ai u dënua me pesë vite burgim nga autoritetet serbe, dhe vuajti vetëm katër vite të burgimit në burgun e Lutogllavës dhe në burgun e Staragradishkës.

Mirëpo, pavarësisht mundimeve dhe ndjekjeve nga autoritetet serbe, ai asnjëherë nuk ndalej në rrugën e tij, ndjente se populli kishte nevojë për të, nuk dëshironte të mungonte në popull, popullit i duhej doktori. Rëndom gjatë netëve të gjata, në rrugët dhe rrugicat e fshatrave të Drenicës ndiheshin kërcitjet e këpucëve të tij. Në dorë mbante çantën me pajisjet e nevojshme për mjekim.

Ai ishte pjesë e pandashme e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe ishte nga themeluesit dhe kontribuesit e parë dhe më kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku me Adem Demaçin, Fehmi Lladrovcin, Adem Jasharin, dhe figura tjera të asaj kohe, i filluan celulat e para për çlirimin e Kosovës. Që në fillim të luftës, lëvizja e tij drejt kryeqytetit ishte e vazhdueshme, duke shkuar vazhdimisht në kryeqytet për furnizim me barna, që do të përdoreshin për mjekim të civilëve dhe ushtarëve të plagosur, por edhe të banorëve të Drenicës dhe jashtë saj.

Lëvizja e tij e vazhdueshme drejt kryeqytetit i ra në sy autoriteteve serbe, ku në mëngjesin e 10 Prillit 1998, në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës, derisa po shkonte të merrte medikamente për të furnizuar UÇK-në, Doktor Hafiri së bashku me dy personat që e shoqëronin në veturë, ishte përcjellur gjatë rrugës nga një xhip i zi i blinduar i policisë serbe, ku edhe u ndalua dhe u arrestua nga policët serb. Autoritetet e larta shtetërore serbe i liruan menjëherë personat që e shoqëronin atë gjatë udhëtimit, ndërsa Doktor Hafirin e shoqëruan në veturë dhe e dërguan në drejtim të panjohur, ku nga ajo ditë nuk dihet fati i tij. Familja e tij deri më sot ka bërë shumë përpjekje për njohjen e fatit të tij, për të kuptuar se ku është dërgur familjari i tyre, dhe çfarë ka ndodhur me të, por të gjitha këto përpjekje ende pa asnjë rezultat.

Veprimtaria politike, ushtarake, dhe shëndetësore për Kosovën, ishte ajo që e shoqëroi gjatë tërë jetës së tij Dr. Hafir Shalën. Ai i takoi këtij vendi, ishte pranë këtij populli, dhe nuk ka dyshim se jeta dhe vepra e tij do mbetet përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e secilit qytetar të Kosovës.

Në ditët në vijim do mundohemi që të sjellim më në hollësi ato që përmendëm më lartë, por edhe ngjarje tjera të jetës së Doktorit, ku do publikojmë edhe disa foto që dalin për herë të parë në publik.

Sinqerisht, Gentrit Shala.

Në lidhje me këtë ngjarje, Klan Kosova pati realizuar edhe kronikë, të cilën mund ta ndiqni më poshtë: