Në vendin ku merrte rrugë drejt punës zakonisht, këtë të mërkure mungon. Gjinekologu Arsim Gashi me gjasë nuk do të jetë të paktën edhe një kohë në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër një në Prishtinë.
Siç ka njoftuar policia, i njëjti është dërguar në mbajtje, ndërsa për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin.
Në zyrën e saj mungonte edhe profesoresha Hatixhe Latifi-Pupovci, pasi po qëndron në pushim shëndetësor, për shkak të lëndimeve që mori nga sulmi i së martës. Megjithatë, përmes një statusi në Facebook, profesoresha deklaroi se nuk do të zmrapset për t’ua dhënë vlerësimin e duhur secilit student.
Krahas sulmit që dyshohet se ia shkaktoi prindi i tij, studenti gjatë së mërkurës ka kërkuar krijimin e një komisionit për vlerësim në lëndën ku profesoreshë është Latifi-Pupovci.
Te po e njëjta profesoreshë, ky student kishte kërkuar edhe më parë që të hartohej komision.
Por, ky nuk është rasti i vetëm që gjinekologu Arsim Gashi ishte i përfshirë në kërcënime e sulme. Cak i tij ishte edhe zëvendësdrejtori i QKMF-së kryesore në Prishtinë, Rrezart Halili.
Kohë më parë ky ishte kërcënuar, e rasti ishte lajmëruar edhe në polici. Por asgjë nga organet e drejtësisë.
Ndërsa epilogu i një rasti të abortit të jashtëligjshëm në të cilin u raportua se dyshohet që Gashi ishte i përfshirë, nuk dihet pasi që institucionet nuk i kthyen përgjigje televizionit.
Krejt këto raste ishin trajtuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Njësoj ishte vepruar edhe në rastet e mëparshme. Tani të njëjtit mund t’i merret licenca.
Për këtë rast kanë reaguar edhe nga Rektorati të cilët e kanë dënuar sulmin ndaj profesoreshës.