Që nga orët e para të mëngjesit e deri më tani rreth orës 22:00, mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Deçan, duke mos llogaritur ata në ordinancat private.
Nga dita e shtunë, Deçani është duke u përballur me raste të helmimit të qytetarëve. Deri më tani mbi 1 mijë e 500 persona janë helmuar në Deçan, ku deri tani supozohet se shkaktar i këtij helmimi është uji.
Sot me datë 13 korrik, komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente në tërë territorin e saj. Qytetarët thonë se ky helmim ka ardhur nga uji, derisa komuna dhe IKSHPK janë duke pritur për rezultatet e analizave që i janë bërë ujit.
Ndërkaq burime të Metros brenda QKMF’së, së Deçanit bëjnë me dije se nga mëngjesi e deri më tani, 300 persona kanë kërkuar ndihmë në QKMF, duke mos llogaritur ata në ordinanca private.
Sipas raportimit, 200 prej tyre kanë pasur simptoma të helmimit, si: diarre, vjellje, mundime etj.
Në bazë të një liste të siguruar nga Metro, shihet se QKMF është duke i marrë të dhënat për pacientët, e më pas secili do të telefonohet për të u pyetur rreth gjendjes shëndetësore. /Botapress/